Gazeta Si – Drejtoresha e QSUT-së, Albana Fico, tha se shkak i zjarrit që përfshiu Urgjencën e re këtë mëngjes, ka qenë një shkëndijë në një dhomë teknike dhe dëmet janë të vogla. Sipas saj, pacientët janë transferuar brenda spitalit.
“Ka qenë një defekt në një dhomë teknike. Gjithë grupi teknik ka nën kontroll çdo lloj elementi. Është një dëm i kufizuar vetëm në një dhomë teknike”, tha ajo.
E pyetur nëse ka probleme në dhomën e imazherisë, drejtoresha Fico konfirmoi: “Absolutisht jo!”. Ajo tha më tej edhe ky spital ka planin e vet emergjent dhe sot u testua me sukses.
“Spitali qendror trajton rastet më të rënda. Shërbimet kanë marrë masa përfshirë edhe reanimacionin. Pacientët i kemi lëvizur brenda QSUT-së. Në kuadër të emergjencave, QSUT ka planin e emergjencës, mbase nuk deshëm ta testonim sot, por u testua me sukses”, shtoi ajo.
Fico tha se pas adresimit të momentit të parë, tani grupet e punës kanë kaluar në fazën e riorganizimit. Për këtë arsye është realizuar një mbledhje për të realizuar hapat që do të ndërmerren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




