Ngjarje

Zjarri në Shkodër, më i madhi ndonjëherë, tregtarët: U shkrumbuan miliona lekë mall

Nga Gazeta Si - Ditën e djeshme një zjarr masiv ra në tregun e rrobave të përdorura duke djegur 25 dyqane dhe 5 shtëpi.

Duke folur për mediat, tregtarët kërkojnë ndihmë pasi i gjithë  malli është djegur.

Ata shprehen se situata është shumë e vështirë pasi malli me miliona lekë vlerë nuk është më, ndërkohë që ata duhet të mbajnë familjet.

“Tregtoj prej 20 e ca vitesh. Kemi pasur miliona lekë mall. Shkaqet e zjarrit nuk i dimë. Ne ishim në shtëpi. Ç’më duhet shkaku kur më është shkrumbuar gjithçka. Shteti duhet të bëjë tregun e të na thotë e keni këtu. Ku ishte shteti kur u detyruam në të hynim aty?”, shprehet një tregtare.

“Kemi shtëpi, kemi familje dhe ata duam bukë. Shteti i do dritat e ujin”, thotë një tjetër.

Shefi i repartit të zjarrfikësve Bashkim Ramaj, e cilësoi si zjarrin më të madhin të 20 viteve të fundit.

“Është zjarri më i madh. Nuk na kishte ndodhur më parë. Gjtihçka ka ndodhur shumë shpejt. Parkingjet një problem serioz që pengojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve në raste të tilla”, tha ai.

Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni Jubani ka deklaruar se situata mëngjesin e sotëm pas zjarrit të madh që përfshiu mbrëmë tregun e rrobave të përdorura në Qafë Hardhi dhe shkrumboi banesën pranë është e qetë dhe nuk paraqet rrezik.

Prefektja bën me dije se efektivet e MZSH gjatë natës kanë mbajtur nën kontroll situatën për të shmangur rishfaqjen e ndonjë vatre zjarri.

Aktualisht 1 mjet bashkë me efektivë janë në vendngjarje dhe grupi hetimor i policisë bashkë me strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Shkodër po punojnë për zbardhjen e shkaqeve dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në shtëpitë rreth tregut të rrobave të përdorura të përfshira nga flakët”, shprehet Angoni në një postim në rrjetet sociale..

Gjithashtu, ajo bën me dije se akset rrugore janë të qarkullueshme dhe furnizimi me energji elektrike vijon pa problem.

Zjarrfikës të shumtë u angazhuan mbrëmjen e djeshme për shuarjen e zjarrit të fuqishëm i cili shkaktoi dëme materiale. Mjete të ndryshme erdhën në ndihmë për frenimin e flakëve nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari.

Reagimi ka qenë i shpejtë nga Policia e Shtetit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, duke siguruar mbështetje për ekipet zjarrfikëse dhe për personelin e emergjencave civile.

Bashkia Shkodër bëri me dije se në terren u angazhuan 21 mjete zjarrfikëse nga reparti i Shkodrës dhe zonat e tjera, së bashku me 110 efektivë zjarrfikës. Përveç kësaj, u mobilizuan 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efekktivë të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë dhe 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës. Në përpjekje për të ndihmuar në zjarr, janë përfshirë edhe 110 punonjës të Bashkisë Shkodër dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, helikopteri Cougar dhe një grup efektivësh të FA iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e zjarrit të rënë në lagjen Qafë Hardhi.

Pas thuajse 5 orësh në luftë me flakët u arrit që zjarri të shuhej dhe pa asnjë rrezik.

Kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka shprehur mirënjohje për efektivët e zjarrfikësve, për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ata të Shkodrës të cilët ishin aty që në momentin e parë si edhe për bluzat e bardha, punonjësit e Bashkisë Shkodër dhe Forcat e Armatosura që u bënë pjesë e këtij operacioni shpëtimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë