Ka ndodhur

Zjarri në Komisariatin e Kamzës, burg për dy punonjësit e policisë

Gazeta Si – Dy punonjësit e policisë të Komisariatit nr.5 në Kamëz, janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, ku dy ditë më parë mbeti i vdekur një 26-vjeçar për shkak të zjarrëvënies në qeli.

Masa “arrest me burg” është marrë për efektivin Hajredin Boja, i cili tentoi të shpëtonte të riun që i vuri flakën dyshekut, si dhe inspektorin Fatmir Isufi.

Dy  oficerët e sigurisë u arrestuan për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “mosdhënia e ndihmës”, pasi dyshohet se nuk kanë kryer kontrollin për mjetet ndezëse për 4 të paraburgosurit, ndërsa 3 policë të tjerë u proceduan në gjendje të lirë.

Si pasojë e flakëve dhe asfiksisë ndërroi jetë në spital Arben Mici, arrestuar për “Dhunë në familje”, i cili dyshohet se i vuri zjarrin me çakmak dhomës ku po qëndronte, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Shkelja e rregullave të sigurisë në ambientet e shoqërimit në Komisariatin Nr.5 në Kamëz, solli ngjarjen e rëndë me pasojë vdekjen e 26-vjeçarit Arben Micit dhe plagosjen e 2 të tjerëve mes tyre edhe një efektivi të policisë nga flakët dhe tymi që përfshiu ambientin në katin e nëndheshëm të institucionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë