Bota

Zjarri në Greqi, më i madhi i regjistruar ndonjëherë në BE

Zjarri në një pyll në Greqi është zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në BE.

11 avionë dhe një helikopter nga flota e BE-së janë dërguar për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në veri të qytetit të Aleksandoupolit, së bashku me 407 zjarrfikës, tha Balazs Ujvari, një zëdhënës i Komisionit Europian të martën.

Shërbimi i mbrojtjes civile të BE-së tha se zjarri kishte djegur më shumë se 810 km katrorë vend, një zonë më e madhe se qyteti i Nju Jorkut.

“Ky zjarr është më i madhi në BE që nga viti 2000, kur Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret e Pyjeve filloi regjistrimin e të dhënave”, tha Ujvari.

Që kur filloi më 19 gusht, zjarri ka vrarë 20 njerëz, 18 prej tyre emigrantë, trupat e të cilëve u gjetën në një rajon që përdoret shpesh si pikë hyrjeje nga Turqia fqinje.

BE-ja i bën thirrje një flote prej 28 avionësh, 24 avionë hedhës uji dhe katër helikopterë, të furnizuar nga vendet anëtare për të ndihmuar në luftimin e flakëve në bllok dhe në territoret fqinje.

“Ne e dimë se zjarret po bëhen më të rënda,” tha Ujvari. “Nëse shikoni shifrat çdo vit në vitet e kaluara, ne po shohim tendenca që nuk janë domosdoshmërisht të favorshme dhe kjo kërkon sigurisht më shumë kapacitete në nivel të shteteve anëtare.”

Greqia është shkatërruar nga zjarre të shumta këtë verë, të cilat qeveria dhe ekspertët ia atribuojnë krizës klimatike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë