Nga Gazeta Si- Zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Fier ka bërë që të gjithë të moshuarit të kalojnë natën në spitalin rajonal të Fierit. Në fillim, u dërguan vetëm 8 të moshuar në spital pasi ishin asfiksuar nga tymi por më pas, në mungesë të një vendstrehimi, 50 të moshuar janë dërguar në spital për të kaluar natën atje, edhe pse sipas mjekëve, asnjë nuk ka probleme me shëndetin.
“Spitali u ka ofruar gjithë përkujdesjen deri në momentin që shtëpia e të moshuarve do të jetë totalisht e banueshme pasi të bëhen të gjitha verifikimet”, deklaroi mbrëmjen e djeshme ministri i brendshëm, Taulant Balla.


Por, sa e banueshme do të jetë shtëpia e të moshuarve? Për këtë çështje, prej pasditen e të mërkurës, ka pasur konstatime të ndryshme, nga zyrtarët dhe vetë të moshuarit.
Menjëherë pas zjarrit, kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi deklaroi për median se godina është e vjetër dhe nuk është rikonstruktuar gjatë viteve që ai ka qenë kryebashkiak. Në zgjedhjet e 2023, Subashi fitoi mandatin e dytë si kryebashkiak.
“Duhet parë mundësia e ndërtimit të një shtëpie të re. Ndoshta ka ardhur momenti për ndërtimin e një shtëpie të re, ndoshta ky incident shërben për ta parë gjënë më thellë”, tha Subashi.
Por, ministri i brendshëm nuk deklaroi të njëjtën gjë, duke hedhur poshtë pretendimet se shtëpia është e vjetër.
“Ndërtesa nuk është një ndërtesë e amortizuar, nuk bie dakord me këtë konstatim. Kjo është një ndërtesë e cila gjithmonë ka nevojë si çdo ndërtesë, si çdo shtëpi e secilit prej jush dhe prej nesh që ka gjithmonë nevojë për përmirësime”, u shpreh Balla, duke shtuar se për momentin, nuk janë mundësi për të ndërtuar një ndërtesë të re.


Të pyetur nga mediat, vetë të moshuarit dhe banorët e zonës kanë deklaruar se godina është tejet e amortizuar, njësoj edhe rrjeti elektrik i kësaj godine, nga dhe ku mendohet se ka rënë zjarri.
“Tymi erdhi nga jashtë.”, tha një prej të moshuarve, duke shtuar se ishin me fat që zjarri nuk ra natën.
Edhe shkaku i zjarrit mbetet një ‘mister’
Kontatimet paraprake të Policisë së Shtetit flisnin për një zjarr që ka ardhur nga jashtë godinës, pa specifikuar nëse ka qenë një shkëndijë elektrike në një ndërtesë ngjitur apo në muret rrethuese apo një zjarr nga pakujdesia e ndonjë personi që mund të ketë kaluar aty afër.
“Një panel elektrik bëri masë dhe ka ardhur i gjithë tymi brenda”, tha një nga të moshuarit.
Ndërsa Dorina Gjino, drejtoresha e azilit të Fierit ka deklaruar se nuk ka rënë zjarr në ambientet e shtëpisë së të moshuarve por në ndërtesën ngjitur.
“Zjarri ishte jashtë institucionit. Në institucion ka pasur tym sepse zjarri ka rënë ngjitur”, tha Gjino.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.