Ka ndodhur

Zjarri i merr jetën 55-vjeçarit në Shkodër, plagoset bashkëshortja e tij

Gazeta Si – Një zjarr i rënë në barakat e komunitetit rom në Shkodër i ka marrë jetë mbrëmjen e djeshme një 55-vjeçari.

Ngjarja ndodhi tek barakat përtej Urës së Bunës, ku jeton një pjesë e këtij komuniteti.

Sipas burimeve paraprake, viktima është K.N. Ndërkohë e plagosur ka mbetur bashkëshortja e tij, N.N. Gruaja ka marrë dëmtime të shumta dhe është transportuar drejt Spitalit të Tiranës në QSUT për mjekim të specializuar.

Fqinjët treguan për mediat se çifti i bashkëshortëve ishin në gjumë kur ra zjarri.

Sipas tyre, gruaja arriti të dalë nga banesa ndonëse me djegie të shumta në trup, ndërsa bashkëshorti i saj gjeti vdekjen në vendngjarje. Shkaqet e zjarrit momentalisht mbeten të paqarta.

Ndërkohë, Drejtori i Spitalit Rajonal të Shkodrës, Senad Halluni ka reaguar në lidhje me pretendimet e banorëve të komunitetit rom për vonesën e ambulancës për dhënien e ndihmës së parë.

Banorët e komunitetit rom pretenduan se autoambulanca dhe zjarrfikësja kanë mbërritur me vonesë. Megjithatë, sipas asaj që ka deklaruar drejtori rajonal i Shkodrës pëe mediat, ambulanca ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, rreth 7 minuta pas marrjes së njoftimit të dhënë nga zjarrfikësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë