Kur kanë kaluar më shumë se 40 orë nga rënia e zjarrit në magazinën tek “Casa Italia” në Kashar, nuk dihet ende fati i rojës së sigurisë, Arjan Sula, i cili dyshohet të ketë mbetur i bllokuar, pasi kishte ndërhyrë për të shuar flakët.
Ditën e sotme, një grup prej 16 zjarrfikësish të specializuar, kanë shkuar në mënyrë vullnetare në ndihmë të ekipit të zjarrfikëses së Tiranës, për të ndihmuar në fikjen e zjarrit.
Shefi i shërbimit zjarrfikës pranë aeroportit të Rinasit, Adem Statovci, thotë se nuk kanë marrë një njoftim zyrtar, por kanë ardhur vullnetarisht sapo janë njohur nga mediat.
“Jemi duke bërë gjithçka është e mundur për të dhënë ndihmën tonë, kemi ardhur me 16 çuna bashkë me pajisje të specializuara, – tha ai. – Ne jemi informuar prej mediave, kemi ardhur vullnetarisht, pasi nuk na ka lajmëruar askush. Ne kemi ardhur me grup të specializuar, me mjetet që kemi ardhur këtu, janë të gjithë vullnetarë”.
Ai thotë se zjarri tashmë është fikur, por ka vatra të vogla, që duhen të shuhen.
Sipas tij, nga një matje që i është bërë temperaturës ka rezultuar se ajo ka shkuar deri në 980 gradë.
“Ka shumë materiale të ndezshme që kanë ekzistuar në atë hapësirë të vogël për ato materiale, qasja te zjarri është shumë e vështirë, – shpjegon Statovci. – Ka edhe pjesë muri që janë shembur dhe tani duhet të avancojmë me çdo vatër të vogël apo të madhe. Besoj që diku gjatë ditës kemi për të përfunduar. Intensitetin e madh të zjarrit e kemi fikur. Puna e kërkimit është problematike, sepse po merremi me fikjen e zjarrit. Ditën e djeshme kemi bërë një matje të temperaturës dhe ka qenë saktësisht 980 gradë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, familjarët janë në ankth dhe presin që autoritetet të vijojnë kërkimet për të gjetur të paktën trupin e 33-vjeçarit.
Ata kanë kërkuar nga punonjësit e zjarrfikëses për të mësuar më shumë, ndërsa akuzojnë shtetin se kanë lënë zjarrfikësit pa mjetet e duhura të shpëtimit.
“Na gjeni trupin. Unë po e qaj tek porta… akoma nuk po del xhenazja”, – tha i ati i Arjan Salës, djalit, i cili punonte si shef i sigurisë.
Përgjatë magazinës janë hapur disa vrima, në mënyrë që të largohet tymi, por ende nuk është mundur që të ndërhyhet brenda saj për të kërkuar për 33-vjeçarin.
Dyshohet se trupi i tij ndodhet brenda në magazinë, por për shkak të shtëllungave të dendura të tymit, është e vështirë që të ndërhyhet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




