Nga Gazeta Si- Prej ditësh, në Vaun e Dejës dhe në Drenovë vijojnë zjarret, që kanë pushtuar tashmë mijëra sipërfaqe toke.
Në vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, vatra e zjarrit e rënë në datë 15 në një sipërfaqe prej rreth 25 ha me lis, dushk, shkurre dhe barishte ende nuk është shuar.
Gjithashtu, forcat po punojnë për shuarjen e zjarrit në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër.
Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Pranë vatrës ndodhet gjithashtu një pus gazi, që përbën rrezik të shtuar. Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 120 ha shkurre dhe pyll me pisha, si dhe janë dëmtuar dhe djegur mbi 1000 rrënjë ullinj.
Sot, 36 forca operacionale vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë të tyre ka shkuar edhe helikopteri Cougar.
Ministria e Mbrojtjes thotë se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 janë ende aktive.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 27 automjete zjarrfikëse dhe 288 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e ditës së djeshme mori pjesë edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura. Sot, që prej orës 06:00, në operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 70 forca ushtarake dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura.
Aktive është edhe vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë. Si pasojë, deri tani është djegur një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu.
Në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, bashkia Bulqizë vijon puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar. Si pasojë, deri tani është djegur një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje lokalisht të dobëta.
Sa u përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër nivel rreziku “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



