Gazeta Si – Situata e zjarreve në vendin tonë për 24 orët e fundit mbetet e vështirë, pasi shumë vatra janë ende aktive.
Nuk kanë të sosur vatrat e zjarrit në rrethin e Krujës. Gjatë orëve të mbrëmjes të së dielës, një vatër tjetër zjarri është aktivizuar në lagjen “Zezë” të Niklës, ku flakët po perpijnë sipërfaqe të mëdha me pyje e shkurre dhe flakët po favorizohen ndjeshëm nga era e fortë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, flakët rrezikojnë disa banesa të kësaj lagjeje. Për shuarjen e flakëve janë nisur reparti zjarrfikës i Krujës dhe po i vjen në ndihmë edhe zjarrfikës nga Kamza.
Pak para mesditës së kësaj të diele, një zjarr ka rënë në Mirditë 4 km nga rruga nacionale në zonën e Bukmirës. Zjarri është përhapur në përmasa të mëdha dhe nga flakët po rrezikohen banesat dhe shumë vreshta rrushi.
Pjesa veriperëndimore e qytetit të Elbasanit kryesisht kurora e ullishtes, tashmë është nën pushtetin e flakëve.
Në terren zjarrfikësit, të ndihmuara edhe nga bashkitë fqinje, ekipet e emergjencave dhe banorë të zonës ndodhen aty dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Era dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e zjarreve, në një territor të gjerë.
Zjarri nisi mesditën e kësaj të diele dhe po vijon prej disa orësh, ndërkohë pak momente më parë është shfaqur një tjetër vatër, sërish në ullishte pranë tregut agroushqimor.
Në këtë zonë ndërhyrja me mjete është e pamundur për shkak të terrenit. E gjithë puna është e fokusuar me mjete rrethanore çka e bën më të vështirë punën në terren.
Mijëra rrënjë ullinj shekullorë tashmë janë djegur, ndërsa ky është zjarri më i madh që ka përfshirë ndonjëherë kullishten e Elbasanit.
Po ashtu, një zjarr në periferi në Fushë-Krujës në lagjen e Dervinëve ka përfshirë kodrat e mbuluara me shkurre e bimësi të ulët, por dhe peme frutore e pyje. Zjarri është në afërsi të disa banesave të cilat rrezikojnë të digjen nga flakët. Për neutralizimin e flakëve ka ndërhyrë reparti zjarrfikës i Krujës.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 23 vatra zjarri në vend, sipas Qendrës Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC.
Ndërkohë, 327 forca operacionale nga të gjitha strukturat, janë duke ndihmuar për shuarjen e flakëve në vatrat aktive.
Aktive janë vatrat në Klos, në vendin e quajtur Skarreth Ekonomia pyjore Linos-Guri i Bardhë, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu.
Gjatë ditës së djeshme është bërë ndërhyrja me forca zjarrfikëse për të kontrolluar dhe izoluar vatrën dhe sot do të vijojë puna për shuarjen e zjarrit.
Në fshatin Shetaj të Durrësit ka vazhduar puna në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit. Operacioni vijon.
Në fshatin Mal Bardhë në Malinë e Kurbinit zjarri ka vijuar të përhapet por me intensitet më të ulët në një sipërfaqe me shqopë, shkozë dhe dëllinjë. Kjo vatër zjarri po mbahet në monitorim.
Në Bjeshkën e Bregut në Shkodër, zjarri ka qenë problematik deri në mëngjesin e të dielës, ku janë rrezikuar stane, bagëti, bletë etj., por tashmë është vënën nën kontroll.
Në operacion për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 327 forca Operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 25 mjete zjarrfikëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




