Gazeta Si – Në Hauai, dy javë pas zjarrit që shkatërroi komunitetin e Lahainas, në Maui, autoritetet thonë se numri i të zhdukurve është midis 500 dhe 1000 personave.
Zyrtarët janë ende duke u përpjekur të përcaktojnë se sa prej tyre vdiqën dhe sa dolën të sigurt pa u regjistruar. “Të vdekurit e konfirmuar janë 115”, konfirmoi policia në Maui.
Ka të dhëna shumë të ndryshme për numrin e të zhdukurve. Guvernatori i Hauait, Josh Green, tha të dielën se më shumë se 1000 njerëz janë të zhdukur.
Kryetari i bashkisë së Mauit, Richard Bissen, tha në një video në Instagram se numri ishte 850.
Gjatë vizitës së presidentit Joe Biden në vendet e fatkeqësisë, këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Liz Sherwood-Randall vlerësoi se numri shkon nga 500 në 800.
Ndërsa një listë jozyrtare e personave të zhdukur të postuar në internet kishte rreth 700 emra në të. Megjithatë, sipas FBI-së, 1100 janë ende të zhdukur.
Ndërkohë, autoritetet e arkipelagut në Paqësor, kanë ftuar të afërmit e personave të zhdukur që të japin mostrat e ADN-së së tyre për të identifikuar çdo mbetje njerëzore të zbuluar në rrënoja. Deri më tani janë mbledhur mostra nga vetëm 104 familje.
Prokurori i Përgjithshëm i Mauit, Andrew Martin u përpoq të siguronte njerëzit se çdo mostër do të përdoret vetëm për të ndihmuar në identifikimin e viktimave të zjarrit dhe nuk do të futet në asnjë bazë të dhënash të zbatimit të ligjit ose nuk do të përdoret për ndonjë qëllim tjetër.
Për më tepër, personave që do të shkojnë për të siguruar ADN-në e tyre, nuk do t’u kërkohet as shtetësia amerikane apo statusi i tyre i mundshëm emigrant.
“Gjithçka që duam të bëjmë, është t’i ndihmojmë ata të gjejnë dhe identifikojnë të dashurit e tyre të zhdukur”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



