Ngjarje

Zjarret në Delvinë, Ministria e Mbrojtjes urdhëron evakuimin e tre fshatrave

Nga Gazeta ‘SI’- Situata në Delvinë ka arritur në një nivel kritik për shkak të zjarreve të përhapura që kanë rrezikuar jetën dhe pronat e banorëve.

Ministria e Mbrojtjes, përmes strukturave të Mbrojtjes Civile, ka urdhëruar këtë të premte, më 24 korrik, evakuimin e menjëhershëm të banorëve të fshatrave Palavli, Vergo dhe Kopaçëz në Bashkinë Delvinë. Ky vendim është marrë për shkak të rrezikut serioz nga flakët që përhapen me shpejtësi në këtë zonë.

Në një njoftim zyrtar, Ministria bën thirrje që të gjithë banorët të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile:”U bëhet thirrje të gjithë banorëve të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë me forcat e Policisë dhe autoritetet vendore, të cilat janë angazhuar për mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre.”

Në terren janë përfshirë forca të shumta zjarrfikëse, ndërsa në operacionet e shuarjes së flakëve po ndihmojnë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore në zonën e Delvinës. Dy helikopterë të tjerë janë të angazhuar në operacionet ajrore në qarkun Berat-Dimal, duke mbështetur përpjekjet për kontrollin e zjarreve në disa zona kritike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë