Ngjarje

Një viktimë dhe 10 të plagosur nga zjarret në Gramsh. Digjen shtëpi e bagëti, flakët përfshijnë disa fshatra

Gazeta Si – Viktima e parë nga zjarret në Shqipëri është regjistruar në një fshat të thellë të Bashkisë së Gramshit, në Kullollas.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, viktima një 80-vjeçar kishte ndezur një zjarr në oborrin e banesës, zjarr i cili shpejt i ka dalë nga kontrolli duke u përhapur në një sipërfaqe të madhe.

I moshuari dyshohet se ka ndërruar jetë nga asfiksia, ndërsa flakët e përhapura më pas në fshat kanë krijuar një situatë mjaft të rrezikshme edhe për banorët e tjerë të fshatit. Deri më tani, raportohet për 8 persona të plagosur si pasojë e zjarreve në Gramsh.

Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, foli për gjendjen shëndetësore të pacientëve dhe masat e marra për të përballuar situatën e krijuar.

“Situata e zjarreve në Gramsh mbetet e vështirë, sidomos në fshatin Skënderbegas. Kanë ardhur 10 pacientë, pas 6 të parëve kanë ardhur edhe 4 të tjerë. Fatmirësisht pa rrezik për jetën, me intoksikime, ankth dhe gjëra të lehta. Janë 6 ekipe këtu të urgjencës dhe helikopteri të fusha e sportit dhe sipas emergjencës do i nisim drejt Tiranës. Deri tani nuk ka raste të tilla, po i përballojmë këti, spitali i Gramshit në gatishmëri, madje kemi edhe nga Trauma dhe Elbasani nëse do të jetë e nevojshme. Por në këtë moment situata është nën kontroll. Kemi hapur repartë sipër, gjithë personeli është në detyrë”, tha Brataj.

Ai apeloi për banorët që të evakuoheshin sa më parë nëse haseshin me zjarre, pasi rreziku është i lartë. Brataj këshilloi qytetarët dhe veçanërisht banorët e zonave me rrezik që të përdornin peshqir apo rrobë të njomë gjatë zjarreve dhe ta vendosnin në hundë, që të parandalonin asfiksimin nga tymi, që sjell edhe pasoja fatale.

Për shkak të daljes së zjarreve jashtë kontrollit, banorët e 3 fshatrave të Gramshit, Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, janë urdhëruar nga autoritetet të braktisin banesat.

“Është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit.”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në një njoftim të dytë, përsëritet apeli i autoriteteve: “THIRRJE URGJENTE! Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ia gjithë fshati Skënderbegas do të evakuohet, ndërsa shumë banorë, mes lotëve për shtëpitë që po u digjen, refuzojnë të largohen.

Raportohet se ka banorë të lënduar, por zjarrfikësit nuk kanë mundur dot të shkojnë për shkak të tymit. Aktualisht janë nisur katër helikopterë drejt vatrave të zjarrit, pasi ndërhyrja nga toka është e vështirë.

Në mbështetje të forcave vendore, në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve dhe krijimin e brezave mbrojtës.

Zjarret, të ndihmuara nga temperaturat e larta dhe era, po përhapen me shpejtësi në një terren të thyer malor, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen tokësore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në orët në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri me helikopterë për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe për të ndihmuar në shuarjen e vatrave aktive.

Ndërkohë, Policia e Gramshit ka shpallur në kërkim një 23-vjeçar, R.M., pasi dyshohet se është autori i zjarrit në fshatin Mukaj.

Në njoftimin për mediat blutë bëjnë me dije se si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një stan në pronësi të shtetasit A. S., dhe një sipërfaqe e konsiderueshme pyjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë