Gazeta Si – Në 24 orët e fundit është zgjeruar harta e zjarreve në disa zona të Shqipërisë, ku janë raportuar 23 vatra, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim të vazhdueshëm.
Vatrat më problematike janë regjistruar në Parkun Kombëtar të Lurës (Dibër), në Zall Gjoçaj (Mat), Dukat (Vlorë), pylli i gështenjës në Shmil (Elbasan), Shkopet (Lezhë), Vernik dhe Dishnicë (Korçë).
Ministria e Mbrojtjes raporton se në ndihmë kanë ndërhyrë 155 trupa të Forcave të Armatosura me 21 mjete, si dhe helikopterë ushtarakë që kryen disa misione ajrore për shuarjen e flakëve.
Ngana a tjetër, Agjencia e Mbrojtjes Civile shprehet se po monitoron edhe shumë vatra të tjera zjarresh që janë nën kontroll apo janë shuar.
Sipas saj, janë angazhuar 45 mjete zjarrfikëse dhe mbi 400 forca operacionale. Vetëm dje pati 157 efektivë të forcave të armatosura dhe helikopterë. Disa qarqe kanë rrezik të lartë për zjarre.
Vatrat nën monitorim janë në Bulqizë dhe Mallakastër, ndërsa sipërfaqet më të prekura janë me shkurre dhe bimësi, me mbi 269 hektarë tokë të djegur dhe rreth 30 rrënjë ullinj të shkatërruara.
Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë të shtuar dhe raportim të menjëhershëm të çdo vatre të dyshuar pranë strukturave përkatëse, ndërsa kushtet meteorologjike mbeten pa reshje, duke e rritur rrezikun për zjarr në qarqet Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë në terren, të angazhuara pa ndërprerje në përpjekjet për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve në të gjithë territorin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



