Ka ndodhur

Zjarr në azilin e Fierit/ Tymi ‘pushton’ ndërtesën, të moshuarit strehohen në spital, Subashi: Godina e vjetër, të shohim për të re

Një zjarr i përmasave të mëdha në pjesën e pasme të shtëpisë të të moshuarve në Fier rreth orës 15:30 ka mbushur me tym institucionin.

Si pasojë e tymit kanë shfaqur probleme 8 të moshuar që vuanin dhe nga sëmundje të tjera, ndaj janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit, për asistencë mjekësore. Të gjithë të moshuarit e tjerë janë evakuuar duke qendruar në oborrin e azilit.

Shërbimet e Policisë dhe shërbimet zjarrëfikëse shkuan në vendngjarje dhe po punojnë për fikjen e zjarrit.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të zjarrit.

Mjekja Yllka Tare ka deklaruar se gjendja e të moshuarve të dërguar në spital është e mirë.

“Gjendja e të moshuarve duket e mirë. Të sëmurët që i kishim me probleme i kemi transportuar për në spital. Dy asmatikë, një të sëmurë të paralizuar me edemë pulmonare… Dëmtime nga zjarri nuk kemi. Më shumë nga ankthi… Edhe pak nga tymi. Nuk ka me asfiksi. Të gjithë janë në gjendje të mirë nën kontrollin tonë”, tha ajo.

Me heret, Dorina Gjino drejtoresha e azilit të Fierit ka deklaruar se nuk ka zjarr në ambientet e shtëpisë së të moshuarve por në ndërtesën ngjitur. Në azil sipas saj ka mbërritur vetëm tymi.

“Aktualisht situata është e qetë, të moshuarit të gjithë u evakuan. Zjarri ishte jashtë institucionit. Në institucion ka pasur tym sepse zjarri ka rënë ngjitur me institucionin. 8 tëmoshuar janë në spital,  janë azmatik dhe për merak i nisëm”, tha ajo.

Por kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, përcolli një tjetër version kur tha se situata u kap në kohë dhe u bë i mundur evakuimi i të gjithë të moshuarve nga godina.

Ai tha se sonte do të punohet gjatë gjithë natës, në mënyrë që ditën e nesërme të moshuarit t’i kthehen normalitetit.

“Ka qenë një zjarr aksidental, në pjesën e pasme të godinës, ku është gabina elektrike ku furnizohet godina. Tymi ka bërë punën e vet, në një pjesë e godinës.

Për fat të mirë, të moshuarit kanë qenë nëpër dhoma, ne bëmë evakuimin e të gjithëve. I kemi çuar në spitalin Rajonal të Fierit, për ndenjur në kujdesin e mjekëve sonte dhe besoj se nesër me punën që do të bëjmë gjatë natës, bëjmë kthimin e tyre nesër.

Dua të them që nga ajo që unë pash, përgjithësisht nuk kemi dëme në pjesën e godinës, vetëm në pjesën e pasme të saj. E rëndësishme është që situata u kap në kohë.

Ajo që ngelet tani është që ne të punojmë intensivisht dhe sa më shpejt të rikthejmë të moshuarit.

Për shkak se godina është e vjetër, mund të shihet  mundësia e një bashkëpunimi, ose mundësia e ndërtimit të një shtëpie e re të moshuarish.

Rikonstruksion po e po, por pse jo një shtëpi të re, me parametrat e duhura” tha Subashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë