Ka ndodhur

Zjarr në QSUT, merr flakë magazina e neurologjisë

Mbrëmjen e së mërkurës në spitalin e Neurologjisë në QSUT është konstatuar prani tymi në katin -1.

Sipas burimeve ky ambient përdorej si magazinë ku kishte dyshek e sende të tjera, por jo pajisje spitalore.

Situata u vu në kontroll brenda 10 minutash nga shërbimet zjarrfikëse, në mënyrë që të mos dilte jashtë kontrollit.

Zjarri dyshohet se u shkaktua nga një shkëndije elektrike.

Përmes një njoftimi, policia e kryeqytetit njofton se nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në një reagim të mëparshëm, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” sqaroi se nuk ka pasur rrezik për pacientët apo stafin.

“Stafi mjekësor dhe ekipet teknike kanë ndërhyrë për të vlerësuar situatën dhe garantuar vijimin normal të shërbimit. Aktualisht në ambientet e spitalit nuk ka asnjë rrezik për pacientët apo personelin dhe puna vijon pa asnjë pengesë. Autoritetet përkatëse janë njoftuar për të kryer verifikimet e nevojshme dhe për të siguruar që gjithçka është në parametra të sigurt”, thuhej në reagimin e QSUT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë