Gazeta Si – Një pallat në zonën e “Astirit” në Tiranë është përfshirë nga flakët e zjarrit në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Aleksandri i Maqedonisë” në zonën e Unazës së Re, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve.
Sipas ekspertizës paraprake, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe se shënjestër ishte njëra nga katër makinat e parkuara në garazhin e pallatit, e cila është në pronësi të vëllait të biznesmenit dhe ndërtuesit Sino Llanaj.
Mësohet se Dritan Llanaj, por edhe Sino Llanaj janë dy emra të njohur për policinë dhe drejtësinë, pasi janë shoqëruar disa herë në qeli. Shkak i kësaj ngjarje dyshohen të jenë konfliktet e familjes Llanaj.
Në vendngjarje janë thirrur gjithashtu edhe ekspertë antieksplozivë të Reneas për të verifikuar nëse mjetit tip Range Rover ku ka nis edhe fillimisht zjarri, i është vendosur ose jo lëndë plasëse apo i është hedhur lëndë djegëse.
Zjarri dhe të lënduarit
Flakët fillimisht janë parë në garazh dhe më pas tymi është përhapur në të gjithë pallatin. Banorët kanë dalë menjëherë jashtë, ndërsa zjarrfikësit kanë mundur të shuajnë flakët vetëm pas disa orësh.
Si pasojë e zjarrit 8 persona të moshave nga 23 deri në 50 vjeç kanë pësuar lëndime, kryesisht nga asfiksia.
Ata janë dërguar në spital ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë që nga zjarri janë djegur edhe 4 makina që ndodheshin në garazh.
Pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, ata janë larguar nga spitali. Flakët kanë shkaktuar panik, ndërsa tymi ka mbuluar të gjithë pallatin.
Kush janë Dritan dhe Sino Llanaj?
Ndërtuesi Dritan Llanaj njihet si një person që ka pasur probleme me ligjin edhe më herët në raport me mashtrimin e qytetarëve dhe pronat.
Në zonën e Unazës së Re, dyshohet se ai ka mashtruar qytetarët për shitjen e objekteve të ndryshme. Këta të fundit kanë protestuar edhe para Prokurorisë, duke kërkuar dëmshpërblim. Ai po ashtu akuzohet edhe për tjetërsimin e pronave tek spitali i Traumës.
Ndërsa Sino Llanaj, njihet për konfliktin e vazhdueshëm që ka pasur për një ndërtim në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë.
Në këtë sherr, Sino Llanaj mbeti i plagosur. Ndërkohë ai ishte në konflikt me ortakun e tij ndërtues, por edhe me banorët për shkak të shitjes së disa apartamenteve në një kompleks.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




