Ka ndodhur

Zjarr në Dhërmi, thirrje qytetarëve të shmangin rrugën e Llogarasë (Video)

Pasditen e sotme (4 korrik) një vatër zjarri është aktivizuar në një zonë pyjore në Dhërmi.

Flakët janë përhapur me shpejtësi pasi janë favorizuar nga era e fortë, duke djegur edhe sipërfaqe toke me pemëtari dhe ullinj.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar me anë të një statusi në rrjetet sociale, ku bën me dije se shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e armatosura po punojnë për shuarjen e këtij zjarri.

Mësohet se ndihmë të shërbimeve zjarrfikëse kanë ardhur edhe banorët e zonës.

Policia njofton se shkak për rënien e këtij zjarri është bërë një shkëndije elektrike si pasojë e tensionit të lartë në atë lagje.

Agjencia e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin rrugën në Qafën e Llogarasë për shkak të zjarrit që është aktivizuar në zonë.

Mbrojtja Civile u bën thirrje dhe drejtuesve të mjeteve të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit dhe emergjencave civile për lëvizjen e tyre, në mënyrë që të lejohen mjetet dhe efektivët të punojnë për shuarjen e zjarrit.

Njoftim për qytetarët nga Agjencia e Mbrojtjes Civile:

Për shkak të situatës së krijuar nga zjarri i rënë në qafën e Llogarasë, në një sipërfaqe me shkurre e barishte dhe që ka shkaktuar tym, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin kalimin në këtë rrugë. Forcat zjarrfikëse dhe të emergjencave janë duke punuar për të vënë në kontroll situatën.

U bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit dhe emergjencave civile për lëvizjen e tyre, në mënyrë që të lejohen mjetet dhe efektivët të punojnë për shuarjen e zjarrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë