Nga Gazeta 'Si'-Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë sot në lagjen Ndoc Mazi në qytetin e Shkodrës pranë tregut të rrobave të përdorura.
Për fat të mirë zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk raportohet për të lënduar, por për dëme të konsiderueshme aty pranë. Si pasojë e zjarrit janë djegur 25 njësi tregtare dhe dy banesa ndërsa u rrezikua edhe një shkollë që ndodhet afër.
Policia njoftoi se bëri evakuimin e banorëve që janë afiksuar nga zjarri.
Në një postim në Facebook, kryebashkiaku Benet Beci u shpreh se kërkoi ndihmë nga Emergjencat Civile. Gjithashtu mjetet zjarrfikëse nga Ulqini, Tivari, Lezha dhe Malësia e Madhe mbërritën në vatrën e zjarrit.
Beci mbajti një prononcim për gazetarët pasi situata u stabilizua.
'Ka qenë një betejë për të menaxhuar dhe marrë në kontroll situatën e zjarrit. Jam i gëzuar që tani nuk ka më rrezik. Është stabilizuar situata. Ka qenë shumë e rëndë dhe faleminderit zjarrfikësve të Lezhës, të Vaut të Dejës. Kanë ardhur nga Ulqini. I falënderoj shumë, kjo situatë ku zjarrëfikësit nuk kishin mundësi të futesh, kjo katrahurë urbanistike ka qenë shqetësim i madh. Ka akoma punë për të pastruar situatën dhe për ta venë në kontroll. Nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe situata është në kontroll.
Grupet e vlerësimit do vijnë në terren. Instancat janë të organizuara. Organizimi ka qenë shumë i mirë dhe është marrë shpejt situata në kontroll. S’ka pas ndonjëherë në Shkodër një rrezik shumë të madh', deklaroi ai.
Dyshimet e para janë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.