Ka ndodhur

Zjarr i madh tek ish Metalurgjiku në Elbasan. Dëshmitarët: Si u dogj fabrika e prodhimit të plastikës (video)

Nga Gazeta 'Si' - Një zjarr i përmasave të mëdha është shfaqur në zonën industriale të Bradasheshit, pranë ish-Metalurgjikut në Elbasan.

Mësohet se bëhet fjalë për një punishte të përpunimit të plastikës. Autoritetet kanë shkuar në vendngjarje por sipas burimeve nuk raportohet të ketë persona të lënduar.

Ndërkaq, ekipet zjarrfikëse nisën punën për lokalizimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit, i cili me sa duket u favorizua nga materiale lehtësisht të djegshme.

Sipas policisë shkak dyshohet se është bërë një shkëndijë zjarri.

Fatmirësisht sipas dëshmisë së punëtorit të një fabrike shumë pranë asaj që u dogj, asnjë prej punonjësve nuk është lënduar nga flakët dhe është bërë e mundur shpëtimi i tyre para mbërritjes së zjarrfikëses.

Ai tha për mediat se në momentin që ka konstatuar flakët ka nxituar t’i vijë në ndihmë personelit dhe punonjësve të punishtes së plastikës, duke hapur edhe tubat e ujit për të neutralizuar frikët.

“Ishte tej mase e rrezikshme qoftë për punëtorët që ishin brenda qoftë për personelin e fabrikës të cilët janë angazhuar të gjithë me forcat e veta para se të vinin zjarrfikëset. Deri në momentin që ka ardhur zjarrfikësja, pastaj kemi bërë të mundur ndihmën e shpejtë, kemi hapur tubat e zjarrfikëses sa më shpejt që zjarri të vihet nën kontroll. Për momentin zjarri është nën kontroll por ka qenë tej mase e rrezikshme. Prodhon arka dhe tuba plastike. Shkaku i djegies së fabrikës ka ardhur nga shkëndija elektrike, nga tensioni i lartë.  E rëndësishme ishte të shpëtojmë punëtorët, gratë që punojnë aty brenda dhe personelin, Fatmirësisht nuk pas pasur të lënduar as nga punëtorët as nga personeli".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë