Futboll

Zidan vë kusht Ronaldon për të drejtuar PSG-në, kërkon dyshen perfekte me Mesin

Pas gati 20 vitesh të mbushur me trofe, “Topa të Artë” dhe tituj kampionë e çmime të tjera, Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi mund të luajnë bashkë sezonin e ardhshëm.

Sipas asaj që bën me dije “Daily Mirror”, Zinedin Zidan, ëndrra e sheikëve të PSG-së, ka vënë këtë kusht për t’u ulur në stolin e ekipit francez. Ai kërkon blerjen e Kristiano Ronaldos, i cili do të largohej nga Mançester Junajtid pa shumë pengje.

Mesi dhe Ronaldo kur luanin ne Spanje. Gazeta Si, 7 shkurt 2022

Pavarësisht faktit se titulli kampion në Ligue 1 është në “xhep” dhe skuadra është plotësisht në garë për të fituar Ligën e Kampionëve, aventura e Mauricio Poketinos në Paris i ka muajt të numëruar. Objektivi kryesor i drejtuesve të PSG-s është Zinedin Zidan, i interesuar edhe për stolin e Francës.

Zizu, sipas të përditshmes britanike, ka vendosur si kusht afrimin e Kristiano Ronaldos, me të cilin në Madrid ka fituar gjithçka. Do të ishte një blerje, që do ta bënte më pak të hidhur lamtumirën e Kilian Mbapesë, tashmë i prenotuar nga Real Madridi, si dhe do krijonte dyshen perfekte me Mesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë