Futboll

Zidan është bindur, do drejtojë Mesi dhe Mbape të PSG

Gazeta Si – Zizu ka hequr dorë për momentin nga kombëtarja franceze. Misioni i tij tashmë është të çojë PSG-në në majën e futbollit europian. Zinedin Zidan është bindur për të marrë drejtimin e parisienëve.

Për të drejtuar talentet më të mëdha duhet një që talent ka pasur shumë për të ‘shitur’. Ose ndoshta, sepse e di si fitohet Championsi dhe në Paris kanë shumë nevojë për një të tillë. Fakt është që tashmë PSG ia ka arritur qëllimit.

Zinedin Zidan me trofeun e Championsit. Gazeta Si, 10 qershor 2022

Klubi francez e ka bindur Zinedin Zidan të firmosë kontratën. Natyrisht, është një kontratë që e mbulon me ar trajnerin e njohur. Do të jetë ai, sipas Daniel Riolo të “After Rmc”, trajneri i ardhshëm i kampionëve të Francës.

Poçetino dhe një pjesë e drejtuesve të klubit kanë përfunduar në bankën e të akuzuarve. Për shkak të dështimit në Champions, ata do të largohen. Sepse Championsi është e vetmja gjë që ka vlerë, duke parë investimet.

Burimi është shumë i besueshëm. Riolo është ai që ka dhënë i pari lajmin e kalimit të Mesit te PSG dhe më pas atë të rinovimit të Mbape. Një ‘orakull’ nën hijen e Kullës Eifel, që tani garanton për ardhjen e Zidan në stolin e PSG-së.

Koha e Poçetinos ka përfunduar dhe është vetëm çështje ditësh njoftimi zyrtar për emërimin e Zidan. Para se të marrë drejtimin e Francës së Deshamp, Zizu do të provojë të çojë PSG-në në majën e Europës, pas dështimit të paraardhësve të tij.

Kush më mirë se ai mund ta bëjë këtë? Para se të linte Madridin, ai e ngriti tri herë kupën me veshë të mëdhenj. Një specialitet i tij.

Është logjike që pronarët e pasur të PSG-së të mendonin për Zidan. Tani mbetet të shihet çfarë do të bëjë ai me Mesi dhe Mbape në skuadër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë