Zhvlerësimi i vazhdueshëm dhe në nivele rekord i lirës turke ka dyndur drejt tregut të pronave të paluajtshme në këtë vend shtetas të huaj. Sipas të dhënave të publikuara nga institucionet turke, në muajin nëntor blerjet e shtëpive nga të huajt u rritën me 50 për qind.
Arsyeja kryesore e kësaj rritjeje është zhvlerësimi i lirës, që ka ulur ndjeshëm koston e këtyre investimeve për të huajt.
Inflacioni vjetor deri më tani përllogaritet në mbi 20 për qind. Megjithatë, tregu i pronave ishte përgjithësisht i gjallë në nëntor, me shitjet e përgjithshme që u rritën me 59 për qind në krahasim me 2020-n, ose rreth 180 mijë prona më shumë.
“Njerëzit shohin strehimin dhe investimet te pronat e paluajtshme si një mjet mbrojtjeje kundër inflacionit. Ky është një faktor i rëndësishëm në rritjen e fortë të shitjeve në nëntor”, tha për Reuters, menaxherja e përgjithshme e TSKB Real Estate Appraisal, Makbule Yonel Maya, duke shtuar se normat e ulëta të kredisë nga bankat shtetërore patën gjithashtu një ndikim.
Lira ra në një nivel të ulët rekord prej 14.99 kundrejt dollarit të hënën, duke përfaqësuar një përgjysmim të vlerës këtë vit. Në nivelin aktual prej 14.2 është më shumë se 40 për qind më i dobët se në fillim të shtatorit.
Altan Elmas, kryetar i shoqatës së zhvilluesve dhe investitorëve të banesave Konutder tha se flukset hyrëse të valutës për shkak të shitjeve të shtëpive deri në nëntor të këtij viti arritën në rreth 8.5 miliardë dollarë, duke tejkaluar parashikimin e tij.
“Ne mund të arrijmë 10 miliardë dollarë deri në fund të vitit. Mbështetja më e madhe për programin e ri ekonomik në periudhën në vijim do të vijë nga shitja e pronave për të huajt”, tha ai.
Presidenti Erdogan ka mbështetur uljet agresive të normave të interesit për të mbështetur programin e tij ekonomik me theks te eksportet dhe kreditimin, pavarësisht rritjes së inflacionit dhe kritikave të përhapura ndaj politikës nga ekonomistët dhe ligjvënësit e opozitës.
Rreth 7400 shtëpi u janë shitu të huajve në nëntor, një shifër që përfaqëson nivelin më të lartë mujor që nga fillimi i mbajtjes së këtyre të dhënave në 2013. Deri tani, numri më i madh i blerësve të huaj ishin shtetas iranianë, të ndjekur nga irakianët dhe rusët.
Shitjet e pronave për të huajt kanë qenë të forta gjatë gjithë vitit, duke u rritur me 39.4 për qind në 11 muajt e parë, ndërkohë që shitjet totale të banesave ranë realisht me 9.2 për qind në 11-mujorin, krahasuar me një vit më parë.
Vendi më i pëlqyer për shitjet e shtëpive për të huajt ishte Stambolli, me 2,922 shitje i ndjekur nga resorti jugor i Antalias dhe kryeqyteti Ankara. Të dhënat treguan gjithashtu se shitjet e hipotekave në nëntor u rritën me 61 për qind në krahasim një vit më parë në rreth 40 mijë të tilla, duke zënë 22 për qind të totalit në këtë periudhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




