Sabina Veizaj-Pasi zhvlerësimi i euros po alarmonte të gjithë, kur kapi kuotën e 124, 7 lekëve në qershor, Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë në treg me një veprim që nuk është i zakontë edhe pse e ka funksion legal të saj. Por kur e pyetëm Guvernatorin se sa euro është mbledhur e do të tërhiqet nga tregu për të kuptuar se në çfarë mase monedha europiane e futur nga burime të njohura e të panjohura , po ndikonte tek buxhetet familjare dhe biznesi, ai tha se do të presim disa muaj për të dhënat.
Por nëse Banka mund të ketë nevojë të bëjë kalkulimet e saj, zhvlerësim i i euros për sa kohë ajo nuk ndërhyri në treg, nuk kaloi pa pasoja.
Këto kohë pasi vala e parë e mbiçmimit të palogjikshëm të lekut ra, të gjithë bëjnë llogaritë e humbjes.
Qysh më herët kur Banka Qëndrore shpalli si qëllim strategjik Deorizimin ( heqjen e euros nga shitblerjet brenda vendit) Qendra e Eksporteve Shqiptare i është drejtuar me një letër të hapur Guvernatorit Gent Sejko dhe qeverisë duke argumentuar se rënia e euros me 5% në harkun e tre muajve është sa 1 për qind e totalit të blerjeve për mbi 50 për qind të popullatës ose rreth 350 miliard lekë që mund t’i mungojnë ekonomisë shqiptare.
“Në qoftë se unë bëja 100 mijë euro xhiro eksporte, për këtë xhiro unë arkëtoja 140 mln lekë. Për të njëjtën xhiro marr mbrapsht 126 mln lekë, pra 14 mln lekë më pak të cilat do t’i mungojnë tregut të brendshëm dhe nuk do të mund t’i përdor për blerje, investime, meremetime, shërbime etj” shpjegon sipërmarrësi Alban Zusi i cili është edhe kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, Zusi shprehet se “eksporti ka rënë, investimet gjithashtu sepse biznesi ka më pak para nga sa parashikonte për të investuar. Por edhe kredia ra së bashku numrin e vendeve të reja të punës”
Kliton Gërxhani, kreu i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA) thotë se turizimi përfaqëson 40-50 për qind të eksporteve dhe vetëm gjatë muajve dhjetor 2017-maj 2018 ka një humbje prej 6 lekë për çdo 1 euro të zhvlerësuar. Kur operatorët turistik e llogarisin të gjithë periudhën e zhvlerësimit të monedhës europiane humbjet në total arrijnë e deri në 1,5 mld euro, që sipas tyre do të paguhet nga fitimi.”
Ndërkohë edhe qeveria u detyrua të rishikojë buxhetin duke ulur pritshmëritë nga të ardhurat që ajo mund të mblidhte nga taksat. Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave të ardhurat e parashikuara sqë do të mblidheshin 5 muajt e parë të vitit, ishin në fakt në buxhet rreth 60 milion euro më pak. Megjithëse një dozë negative në këtë rezultat të dobët buron nga mënyra sesi qeveria e ka ndërtuar dhe menaxhon sistemin dhe politikat fiskale një humbje prej 3.6 miliardë lekë, ajo ia faturon rënies së euros.
Por historia do të jetë më e gjatë
Megjithëse ka një stabilizim të kursit të këmbimit por jo në nivelet e para një viti, për të paktën një grup sipërmarrësish të rëndësishëm në tregti, prodhimin vendas dhe turizëm, zhvlerësim i euros do t’i jap efektet negative edhe më gjatë në kohë.
“Mandej, në prillin e vitit të ardhshëm do të kuptojmë rëndesën e mëtejshme të situatës, kur të gjithë bizneset e industrisë ushqimore, industrisë së lehtë do të dalin me fitim zero dhe nuk do të derdhin fare tatim fitimin.”- thot Alban Zusi.
Nga përllogaritjet që ka bërë Qendra e Eksporteve Shqiptare, nëse euro do të qëndrojë në këto nivele përkundrejt lekut, ekonomisë shqiptare do t’i mungojnë rreth 13 mld lekë në vitin 2018
Qendra llogarit që kjo sasi e munguara e lekut për shkak të zhvlerësimit të euros në buxhet do të ketë efekt negativ me 25 % , ose rreth 3.5 miliard lek më pak për arkën e përbashkët të taksa paguesve duke e vënë qeverinë ne vështirësi serioze për të investuar në të mira publike
“Po të llogarisim koston për hapjen e një vendi pune të barabartë me afro 2 milion lekë, vetëm për këtë vit nga mungesa e këtyre të ardhurave për sipërmarrjet e prekura, do të kemi aftësi të reduktuar për hapjen e të paktën 3500 - 7000 vende të reja pune. Duke mos llogaritur këtu edhe reduktimet e mundshme apo shkurtimin e personelit për shkak të rënies së konkurrueshmërisë dhe të xhiros së biznesit të sipërmarrjeve eksportuese por dhe atyre të lidhura me to.”- argumenton Qendra .
Këto janë kalkulimet që biznesi bëri për humbjet nga zhvlerësim i i euros dhe ndoshta nuk prekin saktësisht gjithë aspektin. Banka e Shqipërisë përgjegjëse direkt për kursin ka aftësinë për të bërë analizë më të plotë. Megjithëse Banka Qëndrore kërkon kohë, gjithsesi ka detyrimin t’i shpjegojë publikut se cilat ishin pasojat dhe të gjitha shkaqet që situata perceptoi deri në këtë pikë, ku të humburit në këtë histori janë vetëm qytetarët dhe jo dikush tjetër që fiton.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.