Shkencëtarët thonë se kanë krijuar një mjet të ri të inteligjencës artificiale (IA) që mund të parashikojë rrezikun e njerëzve për të zhvilluar më shumë se 1 mijë gjendje mjekësore.
Modeli mund të parashikojë nëse një pacient do të zhvillojë kancere të caktuara, atake në zemër dhe gjendje të tjera më shumë se një dekadë para se të diagnostikohet zyrtarisht, sipas studimit, i cili u botua në revistën Nature të mërkurën.
“Ky është fillimi i një mënyre të re për të kuptuar shëndetin e njeriut dhe përparimin e sëmundjes”, tha në një deklaratë Moritz Gerstung, kreu i ekipit të IA-së në onkologji në Qendrën Gjermane të Kërkimit të Kancerit (DKFZ).
Ndërsa IA përparon në fushën mjekësore, studiuesit thanë se mjeti i ri është një nga shembujt më të mëdhenj deri më sot se si IA mund të përdoret për të ndihmuar pacientët.
Modeli u trajnua duke përdorur të dhëna anonime nga 400,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas u testua duke përdorur të dhëna nga 1.9 milion njerëz në Danimarkë.
Mësoi të identifikonte modele që, me kalimin e kohës, tentojnë të kulmojnë në gjendje të rënda shëndetësore, për shembull, duke përdorur diagnozat e mëparshme dhe historitë e pirjes së duhanit. Duke marrë parasysh si rendin e këtyre ngjarjeve ashtu edhe sasinë e kohës midis tyre, modeli mund të parashikonte rrezikun e një pacienti për të zhvilluar sëmundje të ndryshme.
Studiuesit theksuan se parashikimet e modelit nuk do të thotë që një pacient do të sëmuret patjetër, përkundrazi se ata janë në rrezik më të lartë. Ata e krahasuan atë me një parashikim të motit.
Ata thanë gjithashtu se modeli është më i saktë me gjendjet me “modele të qëndrueshme përparimi”, siç janë forma të caktuara të kancerit, diabeti, sulmet në zemër.
Megjithatë, modeli është më pak i besueshëm për problemet që janë më të vështira për t’u parashikuar, siç janë problemet e shëndetit mendor, sëmundjet infektive dhe ndërlikimet që lidhen me shtatzëninë.
Autorët e studimit thanë se mjeti i IA-së nuk është ende gati për t’u përdorur në zyrat e mjekëve, por se ai tashmë mund t’i ndihmojë studiuesit të kuptojnë se si zhvillohen sëmundjet me kalimin e kohës dhe si stili i jetës dhe historitë mjekësore të njerëzve ndikojnë në rreziqet e tyre shëndetësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



