Gazeta Si – Ish-drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës Viola Sterjo, e cila u arrestua 3 ditë më parë për akuzën e mashtrimit, u la në “arrest me burg” nga Gjykata e Korçës këtë të premte.
Mësohet se Sterjo nuk ka pranuar akuzat, duke pretenduar se nuk ka mashtruar njeri. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi përmbajtja e akteve dhe veprimeve hetimore është sekret hetimor.
Ajo u denoncua nga disa qytetarë nga Korça dhe Pogradeci, të cilëve dyshohet se u kishte marrë shuma të mëdha parash, që shkonin deri në 344 mijë euro.
Ajo u premtonte biznesmenëve se do të ndikonte për të përfituar financime nga AZHBR, në vlera që varionin nga 2.2 milionë euro në 4.5 milionë euro.
Sipas dosjes hetimore, Sterjo u ka premtuar subjekteve se do të ndërhyjë për të fituar projekte nga AZHBR-ja.
Sipas dosjes hetimore, nga marsi 2020, deri nëntorin e 2 viteve më parë, Sterjo ka mundur të marrë në vlera të ndara monetare 344 mijë euro dhe 1 milion lekë.
Skema u zbulua pas 4 kallëzimeve. I pari ka ardhur nga një qytetar që kishte një pronë në Voskopojë dhe në të donte të ndërtonte një hotel. Ai përmes një të njohuri kishte takuar Viola Sterjon, e cila i kishte premtuar se do të ndërhynte tek AZHBR për të përfituar një grant. Fillimisht denoncuesi i ka dhënë Sterjos 57 mijë euro dhe 1.000.000 lekë.
Një tjetër denoncim është bërë nga një qytetar nga Pogradeci, sipas të cilit i ka dhënë Viola Sterjos në total 37 mijë euro për të ndërhyrë tek AZHBR që të përfitonte 1.2 milion euro grant për të ndërtuar një bujtinë.
Denoncimi i radhës ishte i një korçari që i ka dhënë Sterjos 160.000 euro pas premtimit për nxjerrë fitues të grantit 2.2 milionë euro. Edhe pse i ka kërkuar lekët mbrapsht pasi nuk e kishte fituar projektin, 39-vjecarja i ka thënë se granti 2.2 milionë euro do të rritej dhe do të shkonte në 4.5 milionë euro.
Një tjetër qytetari, i cili me dy ortakë do të ndërtonte një resort në Voskopojë, Sterjo i ka marrë 90 mijë euro, duke e mashtruar se kishte bërë aplikim tek AZHBR për ndërtimin e resortit me vlerë 2 milionë euro.
Nga totali 90 mijë euro, Sterjo i ka kthyer vetëm 20 mijë euro pasi ai kishte mësuar se në emër të tij nuk ishte bërë asnjë aplikim.
Përveç kallëzimeve, akuza ka siguruar komunikimet me mesazhe të saj me personat e mashtruar dhe fotokopje faturash të dërgesave të parave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




