Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka propozuar në Kuvend ndryshimin e ligjit për trashëgiminë kulturore, duke hequr prej andej parashikimet mbi bazën të cilëve po i jepet një fondacioni privat menaxhimi i Butrintit.
Në relacionin shoqërues, Ina Zhupa thotë se dispozitat në fuqi të këtij ligji mundësojnë që jo vetëm Butrinti, por edhe pasuri të tjera kombëtare të kalojnë në duar të fondacioneve private në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Botërore të Trashëgimisë Kulturore.
Zhupa propozon shfuqizimin e pjesshëm të pikës 3 dhe shfuqizimin e plotë të pikës 5 dhe 6 të në nenin 171, shfuqizimin e plotë të nenit 172 dhe ndryshimin e pikës 1 të nenit 173. Në pikën tre ajo propozon heqjen e parashikimit ligjor që u jep fondacioneve private, apo publike menaxhimin e pasurive kulturore.
Neni 172, për të cilin Zhupa kërkon shfuqizimin e plotë është neni që përmban të gjitha rregullimet e posaçme lidhur me fondacionet që krijohen për menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Ky nen lë të hapur mundësinë që këto pasuri të menaxhohen nga fondacione private, si në rastin e Butrintit.
Ndërkohë, propozimi nuk mbyll shtegun e menaxhimit të këtyre pasurive nga fondacionet, por kushtëzon këtë formë menaxhimi vetëm në rastet kur fondacionet janë të krijuara nga institucionet shtetërore dhe jo private.
“Konventa e Trashëgimisë Botërore e Parisit, e cila është dokumenti bazë mbi të cilin janë konceptuar dhe shkruar të gjitha legjislacionet në fushën e trashëgimisë kulturore të vendeve të Bashkimit Europian, por edhe më gjerë përcakton qartazi se administrimi i pasurive të trashëgimisë kulturore duhet të kryhet ekskluzivisht nga shteti”, thotë Zhupa në relacionin shoqërues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.