Nga Gazeta ‘Si’ – Partia Demokratike nëpërmjet deputetes së vet Ina Zhupa akuzoi maxhorancën se po fut në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit projektligje që – siç tha ajo – i shërbejnë Partisë Socialiste në fushatën elektorale. Gjatë një fjalimi në Kuvend, Zhupa tha se dhe mazhoranca duhet të sillte ligje për qytetarët dhe përmbytjet, dhe jo për qëllime elektorale.
“Po fusni në kalendar dhe projekt-program projektligje për qëllime elektorale. Po fusni projektligje e ligje për oligarkë dhe qëllime elektorale, për 100 grante elektorale si në rastin paketa e maleve, për Partinë Socialiste. Paketën e maleve e keni futur pa datë, kishit parashikuar një datë boshe 10 janar, por keni shkelur kodin zgjedhor, sepse keni falsifikuar datën dhe po e kaloni 4 muaj para zgjedhjeve. Po bëni aset elektoral, po kthehen deputetët për votën e PS-së. 100 grante parashikon paketa e maleve, që parashikon PS sepse do jetë në funksion të saj dhe mund ta quajmë “Rilindja e Maleve”, tha Zhupa.
Në fund ajo theksoi se sipas saj, PS dhe mazhoranca duhet të sillte ligje për qytetarët dhe përmbytjet, jo për qëllime elektorale.
“Ju nuk fusni ligje për mbrojtjen e qytetarëve, ligje për rastet e përmbytjeve, siç po ndodh edhe në Durrës. Për këto dhe të tjera u shprehëm kundër kalendarit në Konferencën e Kryetarëve. Na sillni shkresën e KQZ që ju lejon juve t’i fusni këto projektligje në kalendar për seancë. Në të kundërt janë ligje elektorale”, përfundoi Zhupa.
Ministri Niko Peleshi, i është përgjigjur deputetes së PD Ina Zhupa. Ai tha se parlamenti nuk bën ligje vetëm për një pjesë të qytetarëve, por për gjithë shqiptarërt.
‘Ky aludimi është për të përhapur një tymnajë, për ta dëgjuar ata nuk ka ligj që futet befas në seancë dhe miratohen ligjet kalon në komisione shqyrtohen, nëse deputetët do të vërejnë ndonjë element që bien ndesh më kodin zgjedhore do të mbahet qëndrimi në komisioni, paketa e maleve nuk synon të shpërndajë grante si u tha këtu për fermerët apo për socialistët e zonave malore, por u shërben të gjithëve dhe hap një hapësirë të re, është aty për tu vënë në zbatim para ose pas zgjedhje, nuk është për partinë por për Shqipërinë’, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.