Gazeta Si – Tronditje te Ferrari pas rezultatit modest të garës së Bahrejnit, e para e këtij Botërori të F.1. Ka dhënë dorëheqjen David Sançez, shefi i sektorit të aerodinamikës te skuderia italiane prej 10 vitesh.
Sançez ishte bashkuar me Ferrarin në tetor të 2012-ës, nga 2019-a ishte shef e aerodinamikës, për të kaluar pastaj në 2021-shin në rolin e ‘Chief Engineer’. Ai ka kontribuuar për projektimin e makinave të fundit, F1-75 të vitit të kaluar dhe SF-23 të Botërorit aktual.

Vendin e tij te Ferrari pritet ta marrë Diego Tondi, një figurë e brendshme në Maranelo. Pasuesi i David Sançez do të impenjohet direkt me zhvillimin e SF-23, që në Sakhir pagoi një degradim të madh të gomave, me një paraqitje larg pritshmërive. Ajo paraqitje e dobët u certifikua me tërheqjen e Sharl Leklerk dhe me vendin e 4-t të Karlos Sainz, 48 sekonda pas fituesit Maks Vershtapen.
Sançez, që tani duhet të qëndrojë një periudhë të gjatë pa aktivitet, ishte mjaft i lidhur me ish-drejtuesin kryesor të Ferrarit, Matia Binoto. Largimi i tij konfirmon fuqinë e vendimmarrjes të shefit të ri Frederik Vaseur, që më parë ka larguar edhe shefin e strategjive, Inaki Rueda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



