Drejtësia

Zhdukja e trupit të Jan Prengës, SPAK dorëzon në GJKKO përgjimet e ‘Sky Ecc’ mes Dritan Rexhepit e Altin Hajrit

Gazeta Si – Në procesin që po mbahet në Gjykatën e Posaçme ndaj Festim Bexhdilit, kopshtarit të kompleksit “Golden Resort”, ku u fsheh trupi i Jan Prengës, SPAK ka paraqitur prova të reja, mes të cilave kokunikimet në aplikacionin “SKY Ecc”.

Sipas prokurorisë, janë zbardhur biseda mes Dritan Rexhepit, Altin Hajrit dhe Gentian Funiqit, ku flitet për menyrën e organizimit të rrëmbimit dhe më pas zhdukjen e trupit të Prengës, ku i përfshirë rezulton edhe Festim Bexhdili.

Pas kësaj, gjykata shtyu senacën për në datë 13 maj, duke i lënë kohë avokatëve të njihen me provat.

Në seancën e 23 prillit, gjatë dëshmisë së tij në GJKKO, Dritan Rexhepi mohoi se ka porositur nga burgu këtë ngjarje kriminale, duke deklaruar se nuk i njeh të pandehurit e tjerë.

“Kam dëgjuar nga familjarët e mi që akuzohesha në Shqipëri për diçka që kishte ndodhur në Angli. Mi sillni këto përgjime t’i dëgjojmë këtu dhe të shohim a jam unë apo jo. Ju i hipni trenit të gabuar dhe doni të mbërrini në stacionin që doni, por nuk keni për të arritur. Ju nuk keni respektuar asnjë procedurë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi çfarë bëj unë, jo çfarë thonë të tjerët”.

 Rexhepi kërkoi ballafaqim me vëllain e Jan Prengës, ndërsa mohoi se ka pasur lidhje me Altin Hajrin. “Dëshiroj të bëhet paraqitja me vëllain e viktimës. Të vijë këtu dhe të thotë nëse ka folur apo jo me mua. Ndërsa përsa i përket emrit Altin Hajri, ky emër nuk më thotë gjë”.

Festim Bixhdili është i vetmi i dënuar deri më tani për ngjarjen e rëndë, por kopshtari ka refuzuar të tregojë se ku është dërguar trupi i Jan Prengës.

Avokati Ilir Murati tha se provat nuk duheshin pranuar. “Kërkohet riçelje tjetër me sa kuptuam për të paraqitur prova të reja. Në bindjen time, nuk duhet të pranohen provat. Nëse ka mundësi Prokuroria të na thotë do ketë prova të tjera seancën e radhës apo jo”, u shpreh ai.

Prokurori Behar Dibra u përgjigj se “kjo është kërkesë vazhduese”. Gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për t’u njohur me aktet e Prokurorisë së Posaçme dhe seanca e radhës u la më 13 maj, ora 09:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë