Drejtësia

Zhdukja e Jan Prengës, dinamika e transportit të trupit nga kopshtari (nga njëra makinë në tjetrën)

Gazeta Si – Në Apelin e Gjykatës së Posaçme u zhvillua këtë të enjte seanca e radhës për Festim Bexhdilin, kopshtarin e kompleksit “Golden” në Shijak i akuzuar si bashkëpunëtor për ngjarjen e ndodhur në janar të vitit 2020, ku pamjet tregojnë sesi transportohej trupi i pajetë i Jan Prengës, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.

Gjatë seancës, Ilir Murati, avokati i kopshtarit të dënuar me burgim të përjetshëm pretendoi që të rishikohen pamjet filmike të kamerave të sigurisë.

Ai tha se klienti i tij, Bexhdili, nuk ka hipur në automjetin që ka rrëmbyer Prengës, duke pranuar se ka transportuar trupin nga një makinë në tjetrën.

“Prokuroria e Posaçme ka bërë gabime gjatë këqyrjes së pamjeve filmike. I mbrojturi prej meje nuk është ngjitur në makinë, në 18:29 minuta është në këmbë, nuk është në makinën që do të trasportojë pengun me makinën tip Mercedes Vito që dyshohet se ka marrë pengun. Në orën 18:30 minuta, makina që do të transportojë pengun ndizet dhe bëhet gati të largohet, por Bexhdili nuk ka hipur në atë makinë. I mbrojturi prej meje, e pranon që ka ndihmuar për të futur pengun Jan Prenga nga makina Range Rover tek makina tjetër, por nuk ka kryer veprime të tjera. Kërkojmë që në kuadër të ketij procesi te këqyren pamjet filmike të ngjarjes. Gjykata administron provat e dorëzuara nga mbrojtja, tabelat fotografike”, u shpreh avokati Murati para trupës gjykuese.

Nga ana tjetër nuk mungoi as përgjigjia e prokurorit të SPAK, Behar Dibra, i cili thotë se pamjet tregojnë momentin kur Bexhdili dhe Aldo Majnishta nxjerrin trupin nga bagazhi i mjetit “Mercedez Benz” në parkingun e resortit “Golden”.

“Na rezulton se Festim Bexhdili me Aldo Majnishta nxjerrin trupin nga bagazhi i ‘Mercedes’ dhe e mbulojnë me çarçaf, në orën 18:12, në 18:30, automjeti del nga garazhi i ‘Golden Resort’. Na rezulton se Bexhdili është larguar me të tjerët nga garazhi dhe është kthyer sërish aty”, – tha Behar Dibra.

I pandehuri tjetër, Aldo Majnishta ka refuzuar të japë deklarime. Ndërsa ‘mbreti’ i trafikut të kokainës nga Amerika Latine, Dritan Rexhepi nuk pranoi të paraqitej për të dhënë dëshmi duke thënë se do të përfaqësohej nga avokatja, por as kjo e fundit nuk u paraqit.

Gjyqtari Engert Pëllumbi tha se në seancën e ardhshme Rexhepi është i detyruar të paraqitet pavarësisht se ka të drejtën të mos dëshmojë. Seanca e radhës do të zhvillohet të premten, 13 qershor (nesër) në orën 09:00 të mëngjesit.

Festim Bexhdili ishte dënuar me burg përjetë nga GJKKO, por vendimi u prish nga Gjykata e Lartë dhe cështja u kthye për rigjykim.

Në seancën e datës 28 maj, Prokuroria e Posaçme pretendon se Bexhdili ka pasur në përdorim një celular të enkriptur me programin EncroChat, por që nuk është zbërthyer. Ai pretendon se nuk e ka përdorur këtë aplikacion.

Ai është shpallur fajtor për rrëmbimin me pasojë vdekjen dhe zhdukjen e kufomës së Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në janar 2020. Ndërsa Olsi Turja është dënuar me 3 vite burg si person që ka penguar zbardhjen e ngjarjes.

Prokuroria pretendoi në seancë se Bexhdili, referuar kamerave të sigurisë në ambientet e resortit në pronësi të Altin Hajrit, ka pastruar vendin e krimit, ka gjetur kazmat dhe lopatat, duke kërkuar për vendin ku do groposej trupi, si dhe ka gjetur rroba të pastra për autorët që bënë rrëmbimin.

SPAK, edhe pse ende nuk ka trupin e Jan Prengës, argumentoi para gjykatës se për shkak të gjakut të gjetur dhe pamjeve filmike, ka dalë në përfundimin se ai ka humbur jetën.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Festim Bexhdili e di vendin ku është fshehur kufoma e Jan Prengës, por si bashkëpunëtor i grupit kriminal, nuk e tregon atë.

Hetimet treguan se shkak për ngjarjen u bë grabitja e një sasie kokaine në portin e Portsmuthit në Angli, gjë për të cilën Dritan Rexhepi dhe Gentian Funiqi, akuzuan vëllain e Jan Prengës, Astrit Prengën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë