Drejtësia

Zhdukja e Jan Prengës, Dritan Rexhepi refuzon të japë sqarime në Apel

Gazeta Si – Dritan Rexhepi, një prej të akuzuarve për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, refuzoi të japë sqarime në Gjykatën e Apelit të Posaçëm në procesin që po mbahet ndaj kopshtarit të ‘Golden Resort”, Festim Bexhdili.

“Mbreti” i trafikut të kokainës nga Amerika Latine, i ekstraduar nga Turqia në Shqipëri në jnar të këtij viti, refuzoi të dëshmonte në gjyq duke u shprehur se nuk kishte çfarë të fliste.

“Nuk dua të pyetem sepse nuk kam çfarë të them”- mësohet të ketë deklaruar Rexhepi para gjyqtarëve.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e bërë nga kopshtari i dënuar me burg të përjetshëm, Festim Bexhdili, i cili kërkoi rishikimin e pamjeve filmike të kompleksit “Golden” gjatë momentit që shfaqet trupi i pajetë i Jan Prengës.

Avokati i Bexhdilit ka pretenduar se klienti i tij nuk ka patur gisht në vrasje dhe se i vetmi veprim i tij ka qenë transporti nga njëra makinë në tjetrën. Seanca e radhës u caktua për në datën 26 qershor.

Dritan Rexhepi u ekstradua nga Turqia në Shqipëri më 8 janar të këtij viti. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai në bashkëpunim me Gentian Doçin kanë urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës pas dyshimeve se vëllai i këtij të fundit në 2019-ën i kishte vjedhur në Angli një kontejner me lëndë narkotike në pronësi të tyre.

Edhe pse u shoqërua me forcë për në gjyq, Rexhepi refuzoi të flasë, duke deklaruar se nuk ka asgjë për të thënë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesditën e 17 janarit 2020 në Kamëz. Sipas pamjeve filmike, Jan Prenga u dërgua me një “Rang Rover” të bardhë në garazhin e një resorti në Shijak, aty ku dyshohet se ka humbur jetën. Më pas trupi i tij u zhduk për të mos u gjetur as sot e kësaj dite.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë