Drejtësia

Zhdukja e Jan Prengës, Dritan Rexhepi mungon në seancë. SPAK paraqet pamje filmike si prova

Gazeta Si – Dritan Rexhepi, i ekstraduar para pak javësh nga Turqia në Shqipëri, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, nuk është paraqitur në seancën gjyqësore të kësaj të hëne.

Ai ka kërkuar të përfaqësohet nga avokatja e tij, e cila ka dhënë edhe arsyet e mospranisë së 45-vjeçarit në gjyq.

Sipas saj, Rexhepi nuk është paraqitur në seancë pasi duhet të shoqërohej ditën e premte nga paraburgimi i Fierit në drejtim të paraburgimit ‘313’.

Po ashtu, prokurorët e SPAK, kanë pohuar se përmes pamjeve filmike të sekuestruara në disa biznese, është dokumentuar itinerari i ndjekur nga automjeti ku është futur me forcë Jan Prenga.

Përmes pamjeve është provuar se viktima është mbajtur nën vëzhgim për disa ditë përpara ngjarjes, ku automjeti “Land Rover” i të dyshuarve ka ndjekur automjetin e viktimës në 15, 16 dhe 17 janar.

Rexhepi akuzohet si personi që porositi rrëmbimin me pasojë vdekjen e Jan Prengës 4 vite më parë, për shkak të vjedhjes së një sasie kokaine në Britani nga ana e vëllait të tij. Ai gjithashtu konsiderohet si drejtues i një organizate kriminale.

Dritan Rexhepi u ekstradua nga Turqia disa ditë më parë, duke u vënë për herë të parë para drejtësisë shqiptare që nga viti 2006 kur edhe u arratis. 

Veç akuzave për rrëmbimin e Jan Prengës, ai është dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e një efektivi policie në vitin 1998 dhe me 2 vite burg për falsifikim të dokumenteve pasi gjatë kohës që ishte në kërkim prodhoi dokumente identifikimi nën emrin e një personi tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë