Drejtësia

Zhdukja e Jan Prengës, Dritan Rexhepi mohon akuzat: Isha në burg në Ekuador. Nuk jam unë Gramozi nga Vlora!

Gazeta Si – Dritan Rexhepi, i njohur ndryshe si “mbreti” i trafikut të kokainës nga Amerika Latine, ka mohuar në GJKKO akuzat ndaj tij për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës në vitin 2020.

Duke dëshmuar për herë të parë, ai pranoi se kishte marrë dijeni vetëm nga mediat shqiptare për vjedhjen e një sasie droge në Portsmouth të Londrës, por mohoi të ketë gisht në vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës duke argumentuar se ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Ekuadorit.

Bisedat në “Sky”, provat e reja të SPAK

Por gjatë seancës, prokurorët e SPAK kanë paraqitur prova të reja në GJKKO, si komunikimet në “Sky Ecc” mes të dyshuarve për këtë çështje.

Prokurori i vendosi në dispozicion gjykatës komunikimet e zbardhura të vitit 2020 mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit dhe Altin Hajrit, të cilat tregojnë dinamikën e ngjarjes dhe mënyrën se si kanë vepruar këta persona për rrembimin e Jan Prengës.

Në përfundim, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datë 7 maj ora 09:00 për t’i lënë kohë avokatëve të njihen me komunikimet e “SKY Ecc”.

Dëshmia në GJKKO

SPAK e akuzon Rexhepin si porositës të kësaj ngjarjeje, pasi dyshohet se vëllai i Jan Prengës vodhi 283 kg kokainë në Angli, por 46-vjeçari nga Vlora thotë se nuk ka pasur asnjë informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin e Portsmouth.

Por edhe pse ka qenë në një burg në Ekuador, SPAK dyshon se bashkë me persona të tjerë dhe pronarin e kompleksit “Golden” në Shijak, Altin Hajri, kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, kam qenë i dënuar 13 vite për trafik droge. Ju do më pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar, – u shpreh Rexhepi. – Ai doli i pafajshëm. Gentian Doçaj (Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen që kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjell avokatja dokumentet nga burgu i Firences, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës. E mora vesh nga mediat në Shqipëri”.

Familjarët

Rexhepi thotë se e mori vesh nga familjarët e tij lajmin se akuzohej për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

“Nga familjarët mora vesh që akuzohesha për një rrëmbim të një personi qe ishte zhdukur. Tentova të merrja informacion në prokurori përmes një familjari tim, nuk mora dot. Ndërmjet këtij familjari u mundova dhe më thanë qe ka disa përgjime mes një personi që ka thënë jam Gramozi nga Vlora dhe familjarë të familjes. Këto përgjime telefonike nuk kanë dalë kurrë. Pse nuk i nxirrni, kur thuhet që ka përgjime mes meje dhe familjarëve të viktimës. Ju keni hipur në trenin e gazit dhe kërkoni te shkoni atje ku doni ju. Nuk jam unë personi. Ka ardhur dhe vetë vëllai i viktimës këtu dhe ka thënë këto fjalë. Doni ta bëni përballje mes meje dhe tij, nuk kam kundërshtime. Apo ta bëjmë me foto? E bëjmë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi ça bëj unë, jo ç’thonë të tjerët. Nuk keni bërë asnjë lloj procedure. Pse nuk keni bërë? Nuk kam të drejta unë në këtë shtet?”.

“Gramozi” nga Vlora!

Lidhur me një telefonatë që SPAK pretendon se është kryer nga autori me familjarët e viktimës, Rexhepi ka sqaruar se “nuk është ai Gramozi nga Vlora”.

Sipas tij, me këtë emër i thërrasin vetëm familjarët, duke shtuar se të gjitha akuzat ndaj tij janë të pabazuara në fakte.

“Gazetarët po më bënin copa në media. Problemi ishte i hasmërisë, sepse po akuzohesha se kisha marrë një person peng. Unë kisha një emër, Dritan. Emrin Gramoz e kam patur në fëmijëri, deri në moshen 25 vjeç. Vetëm familjarët me thërrisnin Gramoz. Nuk jam i martuar, kam fëmijë me një ekuadoriane. Kam dy fëmijë 5 dhe 3 vjeç”, ka thënë ai në gjykatë.

Dritan Rexhepi mohoi të ketë njohje me të gjithë të dyshuarit e tjerë të shpallur në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

“Për Ndrek Prengën nuk kam dëgjuar ndonjeherë. Vetëm në gazeta kam lexuar. As për Astrit Prengën, në asnjë rrethanë. Me Gentjan Doçajn nuk kam njohje. Artan Doçajn nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Aldo Majnishta jo. Geraldo Martini jo. Asnjë shtetas të njohur si ‘Doda nuk njoh. Telefon në burg nuk kam pasur, nuk punonin për shkak të antenave”.

Akuzat

Dritan Rexhepi i arrestuar më Stamboll në 10 nëntor 2023, u ekstradua më 8 janar 2025 në Tiranë dhe u dërgua direkt në burgun 313, nën masa të rrepta sigurie.

Në këtë proces ka dëshmuar Festim Bixhdili, kopshtari i resortit “Golden” në Shijak, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në lidhje me këtë çështje.

Po ashtu po gjykohen në mungesë edhe Dritan Rexhepi, Aldo Majnishta, Gentian Funiqi, Martin Bleta, Korado Gështenja, Artan Doçaj dhe Geraldo Martini.

Hetimet treguan se shkak për mbajtjen peng të Jan Prengës, u bë grabitja e një sasie kokaine në portin Portsmuth në Angli, grabitje për të cilën Dritan Rexhepi dhe Gentian Funiqi, të konsideruar si porositës të krimit nga SPAK, fajësonin vëllain e Jan Prengës, Astrit Prengën.

Edhe pse në mungesë të një kufome, gjykatat argumentuan se për shkak të gjakut të gjetur dhe pamjeve filmike, Jan Prenga ka humbur jetën.

Sipas gjykatës, Bexhdili ka pastruar vendin e krimit, ka siguruar mjetet dhe ka kërkuar për vendin ku do groposej trupi, si dhe ka gjetur rroba të pastra për autorët që bënë rrëmbimin më Kamzë.

Jan Prenga, baba i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba këmbës.

Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën ta fusin në një makinë “Range Rover” me ngjyrë të bardhë, ku u transportua në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë