Gazeta Si – Pas skandalit ku doli se mbi 2.000 regjistra pronësie janë zhdukur dhe dëmtuar, Prokuroria ka nisur hetimet kryesisht në Kadastrën e Tiranës.
Hetimi vjen pasi, kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame bëri të ditur pak ditë më parë se gjatë një kontrolli, kanë konstatuar dëmtime të shumta në regjistrat e pronave.
Sipas Lames, me mijëra faqe me dokumente pronësie janë zhdukur dhe qindra janë dëmtuar.
LEXO EDHE:
Batërdia me pronat në Tiranë, Lame kërkon hetim nga Prokuroria: Por përgjegjës jemi të gjithë!
Organi i akuzës njofton se hetimet kanë nisur për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumenteve” për humbjen apo dëmtime të tjera të regjistrave të kadastrës.
Lidhur me faktet e sipërpërmendura Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë thotë se do të hetojë në drejtim të zbulimit dhe vënies përpara përgjegjësisë penale të çdo zyrtari apo personi të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme në dëm të interesave të ligjshme te qytetarëve apo shtetit.
“Nga 2342 regjistra pronash, vetëm rreth 250 rezultojnë pa dëmtime”, – tha Lame të shtunën e shkuar. Përballë mediave, ai renditi rastet që nga grisja e fletëve e deri te zëvendësimeve duke bërë mbivendosje të pasurive.
“515 faqe mungojnë tërësisht, pra janë grisur nga regjistrat dhe as kanë marrë mundimin që ti zëendësojnë. Janë me qindra faqe të dyshuara si të zëvendësuara, sepse është e dukshme që faqja ndryshon sepse ndryshon ngjyra e faqes apo formati i saj. Gjetëm 914 faqe të dubluara. Pra e njëjta pasuri, e njëjta pronë ekziston në dy faqe. Janë 180 faqe të grisura që do të thotë se është grisur faqja, nuk ekziston faqja në regjistër, por në regjistër duken copat e mbetura të faqes së grisur”, – deklaroi Lame.
Madje ai zbuloi se në regjistra kishte fletë bosh, për ti plotësuar me pasuri të marra në mënyrë të paligjshme
“13 mijë faqe bosh brenda në regjistër”, shtoi ai. Për këtë ai kishte dhe akuza se ku përpunoheshin dokumentet.
“Qëllimet kryesisht kanë qenë e para për ti plotëuar pastaj me AMTP e rrugës së Kavajës”.
Kur prona rezultonte shtet, sipas Lames askush nuk interesohej për të plotësuar dokumentet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




