Një muaj pas mbylljes së Botërorit 2021 në Abu Dhabi, heshtja e Ljuis Hemiltonit vazhdon të bëjë zhurmë dhe paqartësia për pjesëmarrjen e tij në kampionatin që starton më 20 mars mbetet. Zgjidhja duket se është afër, ndërsa në organigramën e FIA-s ka ngritur diskutime mungesa e Michael Masi dhe Nikolas Tombazis.
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit ka një president të ri prej disa javësh, Mohamed Ben Sulajem, i cili ka zënë vendin e Zhand Todt. Mes shumë “neë entries” në role drejtuese të FIA-s, në sektorin “Single Seater” nuk shfaqen më emrat e Michael Masi dhe Nikolas Tombazis. Në vend të tyre figuron Peter Bayer, që është edhe sekretari i përgjithshëm për Motor Sport.

Në organigramën e mëparshme, drejtori i garës australiane dhe ish-inxhinieri grek figuronin se përgjegjës respektivisht të “Sporting Matters” dhe “Technical Matters”. Ndoshta të dy do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtin funksion, por nën mbikëqyrjen e sekretarit të përgjithshëm. Misterioze duket “fshirja” e Masit, duke parë polemikat për punën e tij në 2021, mbi të gjitha në garën kaotike të Arabisë Saudite.
Sipas “BBC”-së dhe burimeve të tjera, Mercedesi ka kërkuar “kokën” e të dyve për të mbyllur ngjarjen e Abu Dhabit dhe për të kthyer faqe. Hetimi i FIA-s për faktet e Abu Dhabit nuk ka përfunduar ende dhe mund të marrë kohë. Një histori e vjetër kjo. Mund të jetë edhe një pikë kthese edhe për të fshirë çdo dyshim në lidhje me pjesëmarrjen e Hemiltonit në Botërorin 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




