Drejtësia

Zgjidhet sot kreu i ri i SPAK, si do të kryhet procesi për 3 prokurorët në garë. Votojnë 10 anëtarë të KLP, një nuk merr pjesë

Gazeta Si – 10 nga 11 anëtarët e KLP-së do të votojnë këtë të premte (16 dhjetor) për të zgjedhur drejtuesin e ri të këtij institucioni. Kjo pasi Esmeralda Cami nuk merr pjesë.

Kandidatët Altin Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili po shpalosin para antëarëve platformën e tyre dhe më pas do t’i përgjigjen pyetjeve.

Këta dy të fundit, aktualisht janë zv/drejtues të SPAK-ut për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Mbledhja nisi në 10:00 dhe do të zgjasë 120 minuta. Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video dhe do të zgjasë 30 minuta për secilin kandidat, duke filluar sipas rendit alfabetik.

Votimi zhvillohet në fazën finale të seancës, ku ai që merr mbështetjen e më shumë anëtarëve të KLP-së do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme në 3 vitet që vijnë.

10 anëtarët e KLP-së për zgjedhjen e kreut të SPAK: janë Alfred Balla, Tartar Bazaj, Arta Mandro, Bujar Sheshi, Eloida Goxhi, Esmeralda Cami (mungon), Ledina Riza, Mirela Bogdani, Nurihan Seiti, Sokol Stojani dhe Zeqir Hoda.

Në seancën e sotme, tre kandidatët kanë nga 30 minuta kohë për të shpalosur platfomën e tyre.

Më pas anëtarët e KLP-së do t’iu bëjnë pyetje kandidatëve dhe në fund të këtij procesi do të zhvillohet votimi.

Kandidati që merr më shumë vota do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme për 3 vitet e ardhshme, ndërsa në rast balotazhi, situata zhbllokohet nga vota e kryetarit.

Veç anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Programi OPDAT dhe Delegacioni i Komisionit Evropian.

Drejtuesit aktual të SPAK, Arben Kraja, i përfundon mandati në 18 dhjetor, ndërkohë që pas largimit nga kjo detyrë, ai mbetet prokuror i SPAK deri në përmbushjen e mandatit 9 vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë