Politike

Zgjidhen emrat e rinj për KLP dhe KLGJ, zgjatet afati për ‘Sterilizimin’, Alibeaj kundër projekt-rezolutës për SPAK

Seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar është parashikuar të zhvillohet në 2 ditë, ndërsa për votim nesër do të kalojë dhe drafti i dakordësuar mes PD dhe PS për Reformën Zgjedhore.

Të enjten në rendin e ditës u miratuan anëtarëve të rinj nga radhët e avokatëve që do të ulen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Shumica absolute nuk u arrit, por kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur.

Nga shorti u zgjodhën kandidatët Bledar Bajri dhe Albens Tabaku për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Erind Mërkuri dhe Erind Gërmenji për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Të katër kandidatët vijnë nga një karrierë në profesionin e avokatit dhe si lektorë të jurisprudencës.

Po ashtu u miratuan projektvendimet për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, si dhe zgjatja e afatit të komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check up në Shëndetësi. Me 95 vota pro dhe 1 kundër është votuar zgjatja e afatit të Komisionit të Sterilizimit.

Gjatë seancës u miratuan projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë si dhe institucioneve të tjera që raportuan në Kuvend seancën e 18 korrikut. Ra në sy vota e Enkelejd Alibeajt kundër projektrezolutës për vlerësimin e punës së SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë