Ekonomi

Zgjerohet Paketa 2, bizneset të aplikojnë deri më 5 qershor

Përfitojnë edhe ata që janë larguar nga puna deri në 17 maj 2020

Qeveria ka ndërhyrë në Paketën 2 të mbështetjes financiare për pasojat e shkaktuara në ekonomi nga pandemia duke përcaktuar kritere të reja për përfitimin e ndihmës financiare.

Sipas ndryshimeve në paketë, janë përfitues të ndihmës prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh të gjithë individët, të ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet ose janë mbyllur sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data 1 mars 2020 deri në datën 17 maj 2020.

Financat shpjegojnë se “aplikimi për punonjësit përfitues, i kryer online, nga bizneset punëdhënëse, deri në datën 5 Qershor 2020, i përjashton ata nga penaliteti për mosaplikim.”

Në rastet kur biznesi nuk do të kryejë aplikimin brenda datës 5 Qershor 2020, të gjithë individëve përfitues, do t’iu jepet mundësia për përfitimin e ndihmës financiare në mënyrë automatike. Kjo do të realizohet  pas verifikimit të kritereve bazuar në të dhënat që administata tatimore ka në dispozicion apo të dhënave që të punësuarit apo të ish-punësuarit do të dorëzojnë.

Të gjithë bizneset, të cilët plotësojnë kriteret sipas ndryshimit të bërë të paketës, duhet të plotësojnë kërkesën për përfitim të ndihmës financiare, për individët përfitues.

Ministria e Financave sqaron se, trajtimi i këtyre kërkesave do të jetë në mënyrë automatike, pra pas dorëzimit të Formularit të plotësuar,  që do të thotë se kërkesa është miratuar automatikisht dhe do të vijohet me pagesën e Ndihmës financiare prej 40.000 lekësh.©Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë