Politike

Zgjerimi i Greqisë në Jon, hyn në fuqi dekreti për mbylljen e gjireve

Dekreti presidencial mbi mbylljen e gjireve dhe përcaktimin e zonave detare në detin Jon dhe deri në Kepin Tainaro në Peloponez hyri në fuqi përmes botimit të tij në gazetën qeveritare të dielën. Hapi tjetër pas këtij dekreti do të jetë zgjerimi me 12 milje në Detin Jon, ashtu siç ishte paralajmëruar nga kryeministri grek Qiriako Mitsotaqis në gusht të këtij viti. Qeveria greke planifikon të zgjerohet në Jon, duke nisur nga ishulli pothuajse i pabanuar i Othonoit, përpara se çështja e kufirit detar me Shqipërinë të shkojë në Gjykatën e Hagës.

Në një deklaratë të Dielën, Ministria e Jashtme greke tha se dekreti u lëshua në përputhje me ligjin që ratifikon Konventën e KB të 1982 mbi Ligjin e Detit.

“Dekreti Presidencial thekson se Greqia rezervon të drejtën, siç buron nga Konventa për Ligjin e Detit, për të ushtruar të drejtat e saj përkatëse në zona të tjera të territorit të saj,” tha ministria. 

Me këtë vendim, Qeveria greke i klasifikon si të mbyllura gjiret në Ishujt e Diapontit dhe heq një vijë të drejtë ndarëse të ujërave territoriale që shtrihen deri në 12 milje.

Mbyllja e gjireve dhe zgjerimi me 12 milje interpretohet nga Greqia si zonë automatike ekskluzive e saj, përfshirë këtu edhe burimet e mundshme të gazit dhe naftës që mund të gjenden në tabanin e detit brenda këtij territori.

Me zgjerimin në 6 milje dhe me mosklasifikimin si gjire të mbyllura të gjireve në ishujt e Greqisë, përcaktimi i zonave ekskluzive ekonomike mes dy vendeve do të niste nga distanca e 6 miljeve dhe me vijë të lakuar sipas gjireve. Por, me ndryshimet në fjalë diskutimet për zonën ekskluzive ekonomike mund të nisin nga 12 milje për palën greke, me gjire të mbyllura dhe vijë të drejtë, që mund të bjerë ndesh me Konventën Ndërkombëtare të OKB-së përmes njësoj të ishujve grekë me dheun kontinental shqiptar.

Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën e Hagës u ra dakord gjatë vizitës së muajit tetor në Tiranë të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias. Dendias përshëndeti dakordësinë e gjetur gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama, ndërsa një ditë më vonë njoftoi nga Athina se adresimi i çështjes tek Gjykata Ndërkombëtare do të bëhej pasi Greqia të zgjeronte ujërat me 12 milje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë