Sahit Prizreni është zyrtarisht president i Federatës Shqiptare të Mundjes. Pas dorëheqjes të ish-kreut të FSHM-së, Martin Biba dhe propozimit për drejtuesin e ri si kandidaturë, mundja mbajti Asamblenë e Jashtëzakonshme. Biba ka vendosur kandidaturën për t’u zgjedhur në krye të KOKSH-it, në zgjedhjet që duhej të bëheshin brenda fundit të këtij viti, por ende nuk është e sigurt se kjo do të ndodhë.
Në procesin zgjedhor, 12 të mandatuar me të drejtë vote i besuan në unison Prizrenit postin e titullarit të këtij institucioni. Pas shpalljes së rezultatit nga Komisioni, presidenti i sapozgjedhur i falënderoi të gjithë për besimin që i dhanë dhe se do të jetë i përkushtuar për ta çuar edhe më lart këtë sport.
Prizreni është një ndër mundësit më të njohur të Shqipërisë duke marrë çmime të shumta në arenën kombëtare e atë ndërkombëtare. I lindur në Kukës, më 23.02.1983, është sportist i mundjes së lirë në peshën 62kg. Suksesi më i madh i këtij sportisti shënohet në shtator të vitit 2007, ku në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Azerbajxhan renditet i treti në botë në peshën 62 kg, duke fituar medaljen e bronzit. Ky është suksesi më i madh në historinë e mundjes shqiptare. Me këtë rezultat Prizreni arriti të fitojë të drejtën e përfaqësimit me kualifikim në Lojërat Olimpike “Pekin 2008″.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.