Zgjedhje lokale të 30 qershorit u mbajtën mes shumë kontestimesh nga opozita, si dhe nga presidenti Meta, i cili nxori tre dekrete, që u finalizuan me anulim dhe caktimin e një date të re zgjedhjesh. Opozita refuzoi dhe bojkotoi zgjedhjet, duke e cilësuar procesin e paligjshëm, pasi sipas saj ka një dekret në fuqi që anulon zgjedhjet. Përballë kësaj situate ndërkombëtarët kanë ofruar si zgjidhje ankimin e zgjedhjeve lokale në Gjykatën Kushtetuese, një institucion që ka mbetur i gjymtuar nga procesi i Vettingut dhe që është në pritje të plotësimit me anëtarë të rinj.
LEXO EDHE: Meta, reforma në drejtësi dhe frika nga një pakt Rama-Basha
“Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vettingu”, ishte kjo deklarata e lëshuar nga ambasada amerikane një ditë pas zgjedhjeve.
Ndërsa menjëherë levat e diplomacisë janë vënë në lëvizje duke kërkuar plotësimin menjëherë të vendeve vakante të Gjykatës Kushtetuese. Në mënyrë hipotetike Gjykata Kushtetuese mund të funksionojë edhe me 6 anëtarë nga 9 që duhet të ketë ky institucion.

Pengesat e opozitës për ankimimin
Opsioni i hedhur për ankimim të zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese është një kartë dhe një alternativë e opozitës që ta shohë si të vetmen shpresë këtë institucion, për delegjitimimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke kërkuar shpalljen e tyre të pavlefshme.
Por, a ka të drejtë PD-ja që të ankimojë 30 qershorin? Sipas nenit Neni 134, pika 1 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të: a) Presidentit të Republikës; b) Kryeministrit; c) jo më pak se një të pestës së deputetëve; ç) Avokatit të Popullit; d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit; dh) çdo gjykate, sipas nenit 145, pika 2, të kësaj Kushtetute; e) çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta; ë) Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë; f) organeve të qeverisjes vendore; g) organeve të bashkësive fetare; gj) partive politike; h) organizatave; i) individëve.
Sipas juristëve të kontaktuar nga Gazeta “Si”, Partia Demokratike apo dhe aleatët e saj nuk mund të kërkojnë pavlefshmërinë për zgjedhjet e 30 qershorit, pasi nuk ka mundësinë që të sigurojë firmat e jo më pak se 28 deputetëve, pasi ka dorëzuar mandatet e deputetit. Veç kjo nëse kjo iniciativë ndërmerret opozita e re parlamentare, e cila e zotëron këtë numër për t’ju drejtuar Gjykatës.

Varianti tjetër mbetet që Kushtetueses t’i drejtohet presidenti, i cili ka në dorë nxjerrjen e dekreteve për caktim datës së zgjedhjeve. Presidenti Meta mund të kërkojë interpretimin lidhur me faktin e legjitimitetit të zgjedhjeve, pasi ka nxjerrë një dekret për anulim të 30 qershorit dhe ka caktuar një datë të re zgjedhjesh. Normalisht kjo mund të shihet edhe si opsion, nëse Meta e vlerëson një gjë të tillë, por mund të lidhet edhe me faktin se nëse ai mund të jetë në krye të shtetit në momentin kur Kushtetuesja të jetë në funksion, pasi socialistët kanë nisur procedurat për shkarkimin e tij si president. Vetëm në rast se president Meta mund të depozitojë që tani kërkesën për zgjedhjet, e kjo mund të shqyrtohet në momentin kur ky institucion të jetë në funksion të plotë. Për opozitën “arma më e fortë” mund të jetë presidenti, por që mund të rrëzohet.

Të drejtën për ta vënë në lëvizje Gjykatën e ka edhe kryeministri, por nuk mund të mendohet se ai mund të kërkojë interpretim për mbajtjen e zgjedhjeve 30 të qershorit, pasi socialistët e cilësojnë të drejtë mbajtjen e tyre, veçse nëse ky hap mund të ndërmerret për hir të ndonjë kompromisi politik, mes PS-së dhe PD-së. Ndër opsionet e tjera mund të jetë edhe ankimimi i Avokatit të Popullit, institucion që drejtohet nga një përfaqësues i emëruar me pëlqimin e opozitës. Sipas Kushtetutës të drejtën e vënies në lëvizje e kanë edhe partitë politike, por kjo është e kushtëzuar me faktin vetëm nëse ka çështje që lidhet me interesin e tyre. Pra edhe ky opsion mund të bjerë pasi PD-ja dhe aleatët e saj nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit që të kontestojnë procesin në shkallët e tjera të gjykatave dhe më pas si hap final në Kushtetuese. Gjithsesi kjo e drejtë e partive mbetet e interpretueshme.
Kushtetuesja në funksion në shtator
Procedura e plotësimit me anëtarë të Gjykatës, sipas nenit 125 të Kushtetutës, realizohet ku tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit. Mbi bazën e situatës aktuale, rezulton se vetëm presidenti dhe Kuvendi mund të realizojë për momentin emërimin e 6 anëtarëve, për ta bërë funksionale këtë Gjykatë, pasi Gjykata e Lartë vetë është e paplotësuar.
Sipas Nenit 179 parashikohet se anëtari i parë i Gjykatës përzgjidhet nga Presidenti i Republikës, i dyti nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Pra radha është e saktësuar. Por në kushtet kur Gjykata e Lartë ndodhet jashtë funksionimit, vetëm Kuvendi dhe Presidenca mund të vendosin dhe maksimumi mund të fillojnë punën 6 anëtarë.

Presidenti Meta ka në dorë procesin e ngritjes së Gjykatës, por nga ana tjetër mazhoranca po përgatitet për ta shkarkuar atë, madje procedurat kanë nisur dhe janë në fazën e marrjes së vendimit për ngritjen e komisionit hetimor. Pikërisht kjo “ngutje” e mazhorancës mund të lidhet edhe me faktin e emërimit të një presidenti të ri, i pëlqyer nga socialistët mund ta shpejtonte ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Interesin për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese e kanë shpallur 23 persona, që sipas kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Adrian Dvorani duhet të kalojnë procesin e vettingut edhe më pas të realizohet vlerësimi i pikëve sipas renditjes. Sakaq për tre gjyqtarë që kanë shpallur për të qenë anëtarë të gjykatës nuk kanë kryer ende procesin e Vettingut. Kreu i KED-së Ardian Dvorani disa ditë më parë, në komisionin parlamentar të Ligjeve do të deklaronte se brenda muajit korrik do të përfundojë procesi i verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve. “Nuk mund të them asgjë nëse do ta kalojmë verën pa Gjykatë Kushtetuese. Ligji parashikon që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të përfundojë verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve. Kjo është detyra jonë dhe kjo do të ndodhë patjetër brenda muajit korrik. Unë jam në vështirësi të them një datë të saktë. Kam një parashikim të përafërt por nuk mund ta them sepse nuk varet nga ne, sepse kondicionohemi nga rrethana që nuk varen nga ne, por ajo që parashikon ligji është se të nesërmen, që presidenti dhe Kuvendi marrin listat e kandidatëve të renditur nga ana jonë kanë 30 ditë afat për vendimmarrjen e tyre. E mira e kësaj skeme është që nuk do të bllokohet më”, theksoi Dvorani. Kuvendi mbyll sesionin në muajin korrik, e pritet të mblidhet në shtator. Kështu që mundësia e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese është vetëm në vjeshtë dhe se vetëm pas dy apo tre muajve ky institucion mund të shqyrtojë vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Neni 134 i Kushtetutës
Si vihet në lëvizje Gjykata Kushtetuese
- Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të:
a) Presidentit të Republikës;
b) Kryeministrit;
c) jo më pak se një të pestës së deputetëve;
ç) Avokatit të Popullit;
d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;
dh) çdo gjykate, sipas nenit 145, pika 2, të kësaj Kushtetute;
e) çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta;
ë) Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë;
f) organeve të qeverisjes vendore;
g) organeve të bashkësive fetare;
gj) partive politike;
h) organizatave;
i) individëve. - Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h” dhe “i”, të paragrafit 1, të këtij neni, mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





