Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pavarësisht se KZAZ-të janë në shumicën e majtë po has në vështirësi, pasi një pjesë e vendimeve për regjistrim kandidatësh për kryetar bashkie apo dhe anëtarë të këshillave bashkiakë po refuzohen të regjistrohen. Sigurisht bëhet fjalë për ato zona ku kandidatët e pavarur apo të partive të tjera përbëjnë rrezik për emrat që koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europianë” ka zgjedhur në votimet e 30 qershorit. Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ) me numër 69 ka bllokuar regjistrimin e Edmond Themelkos si kandidat i Partisë Aleanca Maqedonasve për Integrim për bashkinë e Pustecit, një njësi vendore e përbërë nga minoriteti maqedonas në qarkun e Korçës.

Vendimi është shqyrtuar nga ana e KQZ-së, e cila ka hedhur poshtë pretendimin e KZAZ, duke i kërkuar vazhdimin e procedurave për regjistrimin e tij si kandidat për zgjedhje e 30 qershorit.
Themelko aktualisht është kryetar i bashkisë së Pustecit, ka fituar katër vite më parë duke qenë si kandidat i koalicionit të majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” të PS-së. Themelko ka qenë kryetar bashkie për disa mandate, pasi më herët ka kandiduar edhe në siglën e koalicionit të djathtë, nw kohën kur PD-ja ishte në pushtet.
Partia Socialiste në këto zgjedhje kandidon me Pali Kolefskin. Kandidimi i Themelkos mund të sjellë një përplasje të madhe mes votuesve të minoritetit maqedonas së Pustecit. Ndërkaq Aleanca e Maqedonasve për Integrim ka një deputet të sajin në Parlament pas largimit të PD-së dhe aleatëve të saj nga ky institucion. Vasil Sterjovski dy javë më parë pranoi të merrte mandatin e deputetit, duke bërë që partia e maqedonasve të ketë një deputet. Në zgjedhjet e fundit parlamentare Sterjovski ishte në listat e LSI-së për qarkun e Korçës, si pjesë e marrëveshjes politike që kishin dy partitë.
Bollano, rikthim në politikë
Për bashkinë e Himarës do të kemi një rikthim të një emri jo pak të njohur në skenën e politikës shqiptare. Ish-kryebashkiakut Vasil Bollano (Vasillaq Bollano) ka kërkuar që të konkurrojë si i pavarur në listën e këshilltarëve bashkiakë për bashkinë e Himarës. Kandidimi i tij për në këshill, duket se ka hasur rezistencë te KZAZ e Himarës, pasi KQZ-ja i kërkoi në mbledhjen më të fundit që ta regjistrojë Bollanon në garën si këshilltar bashkiak.
Vasil Bollano për dy mandate është zgjedhur kryetar i bashkisë së Himarës. PBDNJ dhe Omonia e humbën këtë bashki në vitin 2011, ku kandidati socialist Gjergji Goro fitoi përballë Fredi Bejlerit. Zgjedhje këto që do të kujtohen për tensionin e lartë që u zhvilluan në atë kohë dhe që Goro arriti të mposhte kandidatin e PBDNJ-së dhe të OMONIA-s falë edhe bashkimit të votave të socialistëve dhe demokratëve. Bollano pas kësaj humbje ka pasur edhe tërheqje nga politike, duke ia lënë drejtimin e shoqatës minoritare të OMONIA-s, Fredi Bejlerit.
PBDNJ e drejtuar nga Vangjel Dule është në opozitë. Kjo parti ka vendosur që të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke iu bashkuar qëndrimit të PD-së dhe aleatë të tjerë të saj. Por në Himarë është vërejtur që OMONIA po tenton të kandidojë me njerëz të pavarur, duke mos dalë në siglën e PBDNJ-së. Fredi Bejleri është kryetari i “Omonias” atje dhe paraqiti dokumentet për të kandiduar si i pavarur për bashkinë e Himarës. Kërkesa për kandidimin e tij u refuzua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky vendim solli reagimin e ministrisë së Jashtme të Greqisë, e cila dënoi këtë akt, duke e cilësuar si shqetësues dhe tha se Athina zyrtare po e ndjek me vëmendje një zhvillim të tillë.

Ndërsa kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, së bashku me përfaqësues të shoqata OMONIA, që kryesohej nga Fredi Bejleri zhvilluan disa ditë më parë në Greqi një takim me Qirjako Micotaqis, liderin e opozitës greke, të Demokracisë së Re. Në këtë takim Bejleri është prezantuar dhe si kandidat për bashkinë e Himarës. Kandidimi i përfaqësuesve të OMONIA-s mund të jetë edhe një strategji e heshtur e PBDNJ-së, e cila mund të mos lërë pas dore zonat që ajo pretendon se ka mbështetje të madhe votuesish.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




