Ne rrjet

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi – fokusi në raundin e dytë

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi janë përballja e parë ndërmjet forcave në nivel shtetëror, pas zgjedhjeve të mbajtura në gusht të vitit 2020.

Asokohe, subjektet politike të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviçit e humbën pushtetin pas tri dekadash, ndërkaq shumica e ngushtë parlamentare u formua nga Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe Lëvizja URA.

Gjatë periudhës së kaluar, shumica e paqëndrueshme dhe heterogjene parlamentare ndryshoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale, duke thelluar edhe më tej ndarjet në skenën politike.

Fakti që raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale është pothuajse i sigurt, tregohet nga balanca e forcave në zgjedhjet e tetorit të vitit 2022 në Podgoricë, ku jeton një e treta e qytetarëve malazezë. Asnjëra nga katër partitë më të forta, të cilat propozuan liderët e tyre për garën presidenciale, nuk fitoi as 40 për qind të votave.

Për të fituar në raundin e parë, kandidatët duhet të fitojnë më shumë se 50 për qind të votave të votuesve.

Për shkak të këtij raporti të forcave, spekulohet se asnjë kandidat për president nuk do të fitojë vota të mjaftueshme për të fituar në raundin e parë zgjedhor më 19 mars dhe është e sigurt se do të shkohet në rundin e dytë.

Në qoftë se ndodh kjo, ligji parashikon që për pesëmbëdhjetë ditë, më 2 prill, në rundin e dytë, të konkurrojnë dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota në rundin e parë.

Nuk ka dyshim se për presidentin e Malit të Zi do të vendoset në rrethin e dytë zgjedhor, thekson për Radion Evropa e Lirë, Millosh Beshiç, metodolog dhe profesor në Fakultetin e Shkencave Politike

Millosh Beshiç, metodolog dhe profesor në Fakultetin e Shkencave Politike.

Ai konsideron se fituesi i zgjedhjeve do të vendoset në rundin e dytë.

“Nuk ka dyshim se Gjukanoviç do të jetë në rundin e dytë. Ajo që nuk e dimë është se kush do të jetë kundërshtari i tij në rundin e dytë”, thotë ai.

Në garën zgjedhore janë shtatë kandidatë për president.

Kush janë kandidatët?

Forcat opozitare udhëhiqen nga presidenti aktual i shtetit dhe i DPS-së, Millo Gjukanoviç, si një kandidat pro-evropian që kaloi 32 vjet në pushtet, me një sërë skandalesh rreth llogarive të tij personale, kredive, kompanive jashtë vendit dhe financimit të paligjshëm të fushatës zgjedhore të DPS-së.

Deputetja Draginja Vuksanoviç – Stankoviç është kandidate e Partisë Socialdemokrate në opozitë, e cila është ideologjikisht e afërt me DPS-në e Gjukanoviçit, ka tre deputetë dhe një trashëgimi të vlerave euroatlantike.

Draginja Vuksanoviç – Stankoviç

Vuksanoviç - Stankoviç fitoi 8.3 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.

Nga ana tjetër, partitë e shumicës parlamentare propozuan tre liderë të partive, të cilët kanë marrëdhënie të mira me Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Andrija Mandiç është kandidati i aleancës më të madhe të shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-serb, i cili prej vitesh angazhohet për tërheqjen e vendit nga NATO, tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat Mali i Zi i vendosi në vitin 2014 dhe në vitin 2022, duke ndjekur politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Andrija Mandiç

Në të njëjtin kurs është edhe Goran Danilloviç, lideri i Bashkimit (Ujedinjenje), i cili ka një deputet në Parlament dhe është pro tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Ndryshe nga ta është Alleksa Beçiç, lideri i Demokratëve, i cili votoi për miratimin e rezolutës me të cilën Mali i Zi dënoi agresionin rus kundër Ukrainës. Kjo parti mbështet integrimet euroatlantike.

Alleksa Beçiç

Gjithashtu, në garën zgjedhore është edhe Jakov Millatoviç, Lëvizja Evropa Tani (PES) e të cilit është parti joparlamentare, e themeluar para zgjedhjeve në Podgoricë, në tetorin e vitit 2022, në të cilat kjo lëvizje shënoi sukses.

Jakov Millatoviç

Millatoviç hyri në politikë si ministër i qeverisë së parë, për të cilin shumica parlamentare votoi në gusht të vitit 2020 dhe nga ajo pozitë votoi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Raundi i parë zgjedhor

Përveç konstatimit se Gjukanoviçi është pjesëmarrës i sigurt në rundin e dytë, Beshiç shpreh mendimin se ndoshta përfundimi i fushatës do të japë përgjigjen se cili nga tre kundërshtarët më të fortë të Gjukanoviqit do të hyjë në rundin e dytë.

“Ka mundësi që Millatoviç, Mandiç dhe Beçiç të jenë relativisht afër, me një diferencë shumë të vogël dhe njëri nga këta të tre të jetë në rundin e dytë. Kjo është hipotetike. Ndoshta nuk do të arrihet fare deri te rishpërndarja e votave të Millatoviçit dhe Beçiçit, të cilët janë të orientuar pothuajse kah i njëjti elektorat. Ndoshta njëri prej tyre do të marrë stafetën në atë elektorat”, thotë Beshiç.
Pretendimet se fituesi i zgjedhjeve presidenciale do të dihet vetëm në rundin e dytë, janë theksuar disa herë nga pjesëmarrësit e garës zgjedhore apo partitë, liderët e të cilave kanë hyrë në garë zgjedhore.

Kandidatët presidencialë në raundin e dytë

Millo Gjukanoviç tha më 25 shkurt se beson në fitoren e tij në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Millo Gjukanoviç

“Por, sigurisht që jam gati për të gjithë procesin zgjedhor. Nëse zhvillimi i ngjarjeve do të çojë në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, unë do të marr pjesë në rundin e dytë, me të njëjtin entuziazëm dhe me të njëjtin optimizëm, si dhe me bindjen se do të fitoj në atë rund të dytë”, tha Gjukanoviç.

Në anën tjetër, Millatoviç deklaroi më 26 shkurt, se pas suksesit të PES-it në zgjedhjet e Podgoricës, vetëm ai mund ta mposhtë Gjukanoviçin në zgjedhjet presidenciale.

Ai tha se është i bindur për një kalim të sigurt në rundin e dytë, në të cilin, siç theksoi, pret mbështetjen e kandidatit të shumicës parlamentare nga zgjedhjet e gushtit të vitit 2020.

“Dhe, besoj se më 2 prill, më në fund, pas tridhjetë vjetësh qeverisje nga një njeri, Mali i Zi do të shohë plotësisht dhe do të kthehet në rrugën e zhvillimit demokratik dhe ekonomik”.

Demokratët thanë gjithashtu se Beçiq është i vetmi, i cili në rundin e dytë, me siguri “do ta mposhtë personifikimin e autokracisë tridhjetë-vjeçare”, kandidatin e DPS-së, Millo Gjukanoviç.

Edhe Nikola Rovçanin nga Demokratët beson se Beçiç, pa asnjë dilemë, do ta mposhtë Gjukanoviçin në rundin e dytë dhe ai beson se qytetarët do ta mbështesin atë “në rast se do të ketë rund të dytë”.

Ndërkaq, një nga liderët e Frontit Demokratik (DF), Millan Knezheviq, në forumin parazgjedhor të Andrija Mandiçit në Mojkovaç, shprehu besimin e tij se kandidati i DF-së do të hyjë në raundin e dytë. Prandaj, ai i bëri thirrje Millatoviqit dhe Beçiqit që të bëjnë marrëveshje me DF-në, për mbështetje të ndërsjellë në rundin e dytë.

“Nuk kam kurrfarë dileme që (në raundin e dytë) do të votoja për Millatoviçin, edhe pse nuk pajtohem me 80 për qind të politikave të tij. Por, të njëjtën pres nga Millatoviçi dhe Beçiqi që ta thonë për Mandiqin. Do t’u bëjmë thirrje kudo që ta nënshkruajnë këtë”, tha Knezheviç.

Projeksionet për rrjedhjen e votave në raundin e dytë

Beshiç thekson se shpesh ekziston një supozim i gabuar se votuesit do ta dëgjojnë thirrjen e liderit të partisë për të mbështetur dikë tjetër.

“Kjo nuk funksionon krejtësisht ashtu. Votuesit nuk mund të kalojnë me automatizëm te një kandidat tjetër. Kjo mbështetje ka një lloj peshe specifike të veten, por mos e mbivlerësoni atë”.

Një numër i madh i votuesve të Millatoviçit dhe Beçiçit e kanë problem të votojnë për Mandiçin".

Duke folur në mënyrë hipotetike për rezultatet e mundshme, Beshiç thotë se Mandiç, edhe nëse kalon në raundin e dytë, do të ketë një problem serioz.

“Një numër i madh i votuesve të Millatoviçit dhe Beçiçit e kanë problem të votojnë për Mandiçin. Atë që tregojnë llogaritjet e mia matematikore, është se një e treta e votuesve të këtyre kandidatëve do të abstenojnë në atë rast. Ndërkaq, nga këto dy të tretat e tjera që do të mbesnin, në rundin e dytë, një numër më i madh do të votonte më parë për Gjukanoviçin sesa për Mandiçin”.

Beshiç thekson, gjithashtu, se kandidatët e Demokratëve dhe Lëvizjes Evropa tani, do ta “mposhtin Gjukanoviçin” në rundin e dytë zgjedhor.

“Sepse, shumica apo shumica dërrmuese e votuesve të Mandiçit, në rundin e dytë nuk e kanë problem të votojnë as për Beçiqin, as për Millatoviçin. Një numër i vogël i tyre do të abstenonin. Dhe siç thashë, e kundërta nuk vlen”.

Beshiç beson se Gjukanoviç, në rundin e dytë, mund të llogarisë në votat e Partisë Boshnjake, ndërkaq situata ndryshon kur bëhet fjalë për votuesit e Draginja Vuksanoviç-Stankoviçit.

“Dy të tretat e votave të saj, në rundin e dytë do të shkojnë për Gjukanoviçin. Një e treta do të shkojnë në drejtim të Millatoviçit ose Beçiçit, nëse hyjnë në rundin e dytë. Por, nëse Mandiç hyn në rundin e dytë, çdo votë e votuesve të Vuksanoviç- Stankoviçit shkon për Gjukanoviçin”.

E panjohura për “ndikuesin”

Sipas Beshiçit, “e panjohura” e plotë e këtyre zgjedhjeve është kandidatura e njeriut me ndikim në rrjetet sociale, Jovan Radulloviç pasi nuk dihet se si do të reagojnë qytetarët ndaj kësaj kandidature. Bazuar në përshtypje, jo në të dhëna empirike, Beshiç beson se nëse Radulloviç fiton “2 ose 3 për qind të mbështetjes”, kjo do të jetë “në kurriz të Millatoviqit, e më pas edhe të Beçiçit”.

Tani për tani, nuk dihet se kë do ta mbështesë Lëvizja qytetare URA e kryeministrit Dritan Abazoviç, e cila nuk ka kandidat të saj, ndërsa partia tjetër që përbën Qeverinë, Partia Popullore Socialiste, i ka dhënë mbështetjen liderit të DF-së, Andrija Mandiç.

Sipas të dhënave të fundit, të drejtë vote në zgjedhje, në Mal të Zi, kanë 543.175 qytetarë./ Marrë nga REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë