Politike

Zgjedhjet për kreun e PD, Gjana thirrje anëtarësisë: Ejani votoni, procesi është legjitim

Gazeta Si – Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana, i ka bërë thirrje anëtarëve të partisë që të shtunën (29 korrik), të votojnë në procesin zgjedhor për zgjedhjen e kreut të ri të PD.

Në një deklaratë për mediat, Gjana tha se procesi është legjitim, ndonëse një ditë më parë Këshilli vendosi anulimin e zgjedhjeve.

“Ftesa ime për të gjithë demokratët është ti bashkëngjiten procesit të votimit. Ftesa është e hapur, legale, statutore, jo vetëm për ata që janë pjesë e listave të miratuara, por ftesa është e hapur për të gjithë demokratët që disponojnë dokumentet e anëtarësimit në PD, të cilët me testen e PD nuk kanë punuar për partitë e tjera politike, pjesa e rithemelimit nuk mund të bëhet pjesë, gjithë pjesa tjetër e demokratëve është e ftuar t’i bashkohet nesër procesit. Zhvillimet janë të forta, të bujshme, muajt e sotme janë të nxehtë, por muajt e vjeshtë s’do jenë akoma më të nxehtë. Duke e mbyllur këtë komunikim para hapjes së kutive të votimit, i ftoj të gjithë demokratët të bëhen pjesë e këtij votimi legjitim për garën për kreun e PD”, – tha Gjana.

Pak ditë më parë, Gjana tha se lista e anëtarësisë që do të votojnë është 25 mijë anëtarë, nga 50 mijë që ishin në total.

Dy kandidatët e një gare të cilësuar me fitues të paracaktuar në PD e vulës të copëzuar në dy pjesë, do të votojnë në selinë me qira, pasi shtëpinë e demokratëve e ka marrë joligjërisht grupimi i tretë, ai i “Rithemelimit”.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi mblodhi Këshillin Kombëtar një natë më parë, ku vendosi anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut, por sot ishte grupimi tjetër i Bashës që doli në kundërshti me këtë vendim dhe njoftoi detajet e organizimit të procesit të votimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë