Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka njoftuar nga Kuvendi, se nuk do të kandidojë më për deputet në zgjedhjet e ardhshme.
Duka shprehu mirënjohjen për besimin që ka marrë gjatë karrierës së tij politike dhe për mundësitë që ka pasur për të shërbyer si deputet.
Ai theksoi se duhet t’i lihet vendi figurave të reja në politikë.
“Kur kalojnë disa mandate dhe kohëra mendoj që ka njerëz të tjerë që duhet të na zëvendësojnë, duke qenë që të njëjtët njerëz vazhdojnë në Parlament me dekada, nuk i ndryshojnë ligjet, vazhdojnë t’i marrin ato katër pesë mandate, çfarëdo që të japin, nuk do të japin më shumë se këta që do vijnë. Kush do, ta marri mesazhin”, tha Duka.
Ai shtoi se ky është një moment reflektimi dhe vendimi për t’u tërhequr nga gara për një mandat të ri si pasojë e një periudhe të gjatë angazhimi dhe përkushtimi ndaj interesave të qytetarëve. Duka u shpreh se ky është një hap drejt një faze të re në jetën e tij dhe se tani është koha për të dhënë mundësi të rinjve, për të sjellë ide të freskëta dhe energji të re në politikë.
“Nuk kam ndërmend të rikthehem në fushën politike si deputet. Ky është një vendim i menduar mirë dhe i thellë,” tha Duka.
Megjithatë, ai theksoi se do të vazhdojë të kontribuojë në jetën politike të vendit, duke u angazhuar në projekte që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, forcimin e demokracisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.