Kosova

Zgjedhjet në veri/Vuçiç: Ditë e vështirë për serbët dhe e tmerrshme për demokracinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se e diela e 23 prillit, kur do të mbahen zgjedhjet në veri të Kosovës, do të jetë “një ditë e tmerrshme për demokracinë dhe ditë e vështirë për popullin serb.”

Vuçiç u shpreh në TV Prva, se sipas tij kjo ditë do të jetë turpi i botës për Evropën dhe QUINT-in.

“Ata do të mbajnë zgjedhje të dielën, do t’i mbështesin dhe pastaj do të thonë se fajin e ka Beogradi”, theksoi ai.

Vuçiç shtoi se pas tërheqjes së kandidatit të Partisë së Serbëve të Kosovës, në tre komunat në veri të Kosovës nuk ka asnjë kandidat serb.

“Në Zveçan duket se nuk keni, marrin pjesë vetëm kandidatë nga partitë shqiptare. Në Leposaviç janë 300 shqiptarë – dy për qind. Në Mitrovicë do të bëjnë gjithçka për të marrë tre përqind dhe në komunat e tjera deri në dy përqind. Po e bëjnë të gjithë bashkë se duhet ta përkrahin Kosovën dhe ta thyejnë Serbinë dhe ky është qëllimi i tyre”, tha presidenti i Serbisë.

Nesër, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’iu drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë