Njohës të proceseve politike në Kosovë vlerësojnë se Ligji për vetëqeverisje lokale parashikon mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore.
Sipas tyre, ligji parashikon mundësinë që të paktën 20 për qind e votuesve përmes një organizimi të një peticioni mund të kërkojnë largimin e kryetarëve të këtyre komunave.
Ata thonë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk mund të krijojë rregullore për referendumin klasik pasi për të njëjtin nuk ka një ligj i cili është votuar në Kuvendin e Kosovës.
Por ata thotë se KQZ-ja mund të hartojë rregullore për t’i qartësuar rregullat se si mund të mbahet peticioni duke u bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale.
Profesor Mazllum Baraliu tha se Kushtetuta e parashikon mundësinë e mbajtjes së referendumit, por sipas tij, Kushtetuta thotë që për të realizuar këtë të drejtë duhet që të ketë një ligj që duhet të kalojë në Kuvend.
“Është e parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës mundësia e mbajtjes së referendumit dhe realizimit të drejtës së referendumit të qytetarëve që është forma më demokratike, më e drejtpërdrejtë dhe më masovike e vendimmarrje qytetare. Mirëpo Kushtetuta thotë që për të realizuar këtë të drejtë duhet që Kuvendi i Republikës të nxjerr një ligj për referendumin. Kjo nuk ka ndodhur ende dhe pa ligj për referendum, nuk mund të ketë rregullore për referendum”, tha ai.

Sipas profesorit, pas kërkesave të BE-së dhe ShBA-së që zgjedhjet në veriun e vendit duhet që të mbahen, ato mund të organizohen në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parashikon që të paktën 20 për qind e votuesve mund të vendosin për një peticion i cili kërkon dorëheqjen e kryetarëve.
“Përveç dorëheqjes që mund të japin ose shkarkimit të kryetareve të komunave, nëse kjo nuk realizohet ligji e parashikon edhe një mundësi që të paktën 20 për qind e votuesve, në këtë rast të atyre katër komunave atje, nëse e bëjnë një peticion të cilin ja drejtojnë kryetarëve të komunave përkatëse, atëherë ata vendosin për atë peticion dhe duhet të ketë 50 për qind të qytetare që e miratojnë atë kërkese dhe mund të realizohen zgjedhjet e parakohshëm dhe të jashtëzakonshme në ato katër komuna”, tha ai.
Ai tha se kjo metodë kërkon më shumë kohë, por sipas tij, KQZ-ja duhet që të ketë një rregullore e cila e rregullon këtë çështje pasi deri më tani nuk ka pasur rast që të veprojë në bazë të këtij ligji.
Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se Ligji për vetëqeverisje lokale e përcakton mbajtjen e zgjedhjeve në dy forma, ku njërën prej tyre e emëron edhe si referendum, por që nuk është referendum klasik.
Sipas tij, për t’u realizuar në praktikë një “referendum” i tillë sipas këtij ligji, kërkohet që KQZ-ja të miratojë edhe një rregullore në mënyrë që të përcaktojë se si mund të realizohen në praktikë këto dy dispozita.
“Ligji për vetëqeverisje lokale përcakton dy forma nëse mundemi me i quajtur referendum, njërën prej tyre e emërton pikërisht si të tillë. Rasti i parë është për rregulloret e Kuvendit Komunal që mund të kërkohet referendumi për një rregullore të miratuar nga ana e Kuvendit Komunal”.
“Në anën tjetër ligji për vetëqeverisje lokale ka përcaktuar edhe rregullat që kanë të bëjnë me largimin e kryetarëve të komunave që iniciohet prej 20 për qind të votuesve të regjistruara dhe më pastaj për tu larguar kryetari kërkohet të paktën gjysma e votuesve të regjistruara. Në kuptim të këtyre dy dispozitave për tu realizuar në praktikë një referendum kërkohet edhe që të miratohet edhe një rregullore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë që të përcaktoj se praktikisht si realizohen këto dy dispozita”, tha ai.
Shala sa i përket referendumit, i cili bazohet në ligje dhe Kushtetutë, tha se KQZ-ja nuk mund që të hartojë rregullore për të. Sipas tij, KQZ është mirë që t’i miratojë një rregullore për mënyrën e zbatimit të dy neneve të Ligjit për vetëqeverisje lokale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




