Nga Gazeta ‘Si’- Erion Veliaj kërkon në Gjykatën Kushtetuese pezullim të dekretit të Presidentit Begaj për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në Tiranë, si edhe shpalljen e tij antikushtetues.
Kërkesa u dorëzua nga avokatët e kryebashkiakut si shtesë në ankimin e parë në Gjykatën Kushtetuese në të cilën Veliaj kërkon rrëzimin e shkarkimit të tij.
Veliaj mes të tjerash i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të mbrojë demokracinë. Më herët ai kishte ankimuar edhe vendimin e Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij si të pambështetur në ligj dh Kushtetutë.
“Dekreti presidencial është contra Constitutionem (antikushtetues). Mandati i Kryetarit të Bashkisë nuk është mandat personal, por shprehje e sovranitetit të qytetarëve të Tiranës. Gjykata Kushtetuese të veprojë me mbrojtjen e menjëhershme të demokracisë përfaqësuese”, thuhet mes të tjerash në këtë ankimim të depozituar në GJK.
Në ankimim shpjegohet edhe moskompetenca e kreut të shtetit për dekretimin, duke e cilësuar “non grata”.
“Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë është nxjerrë në një moment kur kompetenca kushtetuese e Presidentit nuk kishte lindur ende. Neni 115 i Kushtetutës nuk i jep Presidentit një kompetencë të përgjithshme dhe të pakushtëzuar për të shpallur zgjedhje sa herë që një organ vendor shkarkohet nga Këshilli i Ministrave; përkundrazi, ai e lidh këtë kompetencë në mënyrë të qartë dhe kumulative me dy rrethana: (i) mosushtrimin e së drejtës së ankimit brenda afatit 15-ditor; ose (ii) lënien në fuqi të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese. Në mungesë të këtyre kushteve, kompetenca e Presidentit është non nata – ende e palindur juridikisht”, thuhet ms të tjerash.
Nëpërmjet ankimimit të depozituar nga përfaqësuesit e tij ligjorë, Veliaj shprehet se ky dekretim dhe shkarkim në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës krijon një precedent të rrezikshëm për më tej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



