Kosova

Zgjedhjet në Kosovë- A ka vend për surpriza?

Nga Gazeta ‘Si’– Zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë mund të rezultojnë një ‘déjà-vu’ politike.

Të paktën, kështu sugjerojnë skenarët politikë deri tani. Prej thuajse një viti tashmë, terreni elektoral nuk ka ndryshuar shumë.

Kriza politike nuk u zgjidh dhe raportet e Kurtit me opozitën mbetën të tensionuara duke e bërë çdo koalicion të pamundur.

Kjo është arsyeja pse shumëkush i sheh zgjedhjet e dhjetorit si rrezik real për t’u kthyer në ‘një fotokopje’ politike të shkurtit.

Pjesëtarë të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile duke protestuan në hyrje të Kuvendit të Kosovës

Sipas analistëve politikë, skenari i parë – dhe ai që ende shihet si më i mundshmi – është që Lëvizja Vetëvendosje të dalë sërish forca e parë, por pa arritur një shumicë të qartë.

Një rezultat i tillë do ta vendoste vendin pothuajse në të njëjtën pikë ku ndodhej pas zgjedhjeve të shkurtit: Kurti fiton politikisht, por humb matematikisht.

Në këtë rast, presioni për kompromis do të ishte më i madh se herën e parë, jo vetëm nga partnerët ndërkombëtarë, por edhe nga një opinion publik i lodhur nga institucionet jofunksionale prej thuajse një viti.

Një skenar i dytë, më pak i përfolur por jo i pamundur sipas disa analistëve politike, është ai i një rritjeje të opozitës në mënyrë të tillë që ajo, e bashkuar, të krijojë shumicën pa Vetëvendosjen.

Ky do të ishte një ndryshim i fortë kursi, por edhe një provë e vështirë për opozitën vetë: bashkimi kundër Kurtit është më i lehtë sesa ndërtimi i një programi të përbashkët qeverisës. Megjithatë, historia ka treguar se sa herë është tentuar kjo formulë, ajo ka çuar në qeveri jetëshkurtra.

Sa peshë do të luajë vota e diasporës

Në këtë ekuacion hyn edhe diaspora, që është ndoshta faktori më i paparashikueshëm i këtyre zgjedhjeve.

Të mbajtura në fundvit, zgjedhjet e Kosovës përkojnë me një periudhë kur një pjesë e madhe e emigrantëve ndodhen fizikisht në Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi para një jave se deri tani ka miratuar mbi 70 mijë aplikime për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

Sipas KQZ, pritet që të votojë rreth 35–45% e diasporës së regjistruar. Nëse kjo përqindje materializohet, diaspora mund të përbëjë rreth 8–12% të totalit të votave të hedhura në nivel kombëtar. Kjo tregon se vota e diasporës nuk është më thjesht simbolike por ka një potencial sado të vogël për të lëvizur disa mandate dhe mbase edhe balancat e pushtetit.

Tradicionalisht, diaspora ka mbështetur Kurtin dhe ka treguar prirje për të votuar Vetëvendosjen, si forcë që sipas tyre perceptohet më pak e komprometuar.

Megjithatë, lodhja politike dhe skepticizmi ndaj Kurtit mund të ketë filluar të ndikojë edhe jashtë vendit dhe pamundësia për të prodhuar stabilitet mund ta kthejë një pjesë të diasporës drejt alternativave të tjera.

Nëse pjesëmarrja e saj do jetë e lartë, diaspora mund të jetë faktori që e mban Kurtin në krye; nëse është më e ulët se pritshmëritë, efekti i saj do të jetë më shumë simbolik sesa vendimtar.

Në këtë situatë, pyetja më delikate mbetet ajo e koalicioneve:

A ka realisht shans për një bashkëqeverisje mes Albin Kurtit dhe opozitës?

Në teori, po. Në praktikë, shumë pak.

Marrëdhëniet mes Kurtit dhe partive tradicionale janë të ftohta.  Krerët e opozitës në Kosovë, i kanë vendosur qartë vijat e kuqe. 

Ata kanë qenë shumë të prerë kur deklaruan se nuk do bënin koalicione me Kurtin.

Një koalicion i tillë do të kërkonte lëshime të thella nga të dyja palët dhe një ndryshim të tonit politik që deri tani nuk është parë.

Nëse ndodh, ai ka gjasa të jetë më shumë një zgjidhje e imponuar nga rrethanat sesa një partneritet i sinqertë – një qeveri funksionale në letër, por e brishtë në praktikë.

Në një Kosovë që ka nevojë urgjente për stabilitet institucional, zgjedhjet mund të jenë ose një pikë kthese, ose thjesht një kapitull tjetër në një histori të gjatë bllokimesh, duke shkuar mbase drejt një ‘skenari bullgar’, që do të nënkuptonte zgjedhje të shpeshta dhe të përsëritura pa formimin e një qeverie me shumicë të qëndrueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë