Një ditë para zgjedhjeve për bashkinë e Himarës autoritetet policore kanë zbardhur planin e masave që do të ndërmerren për mbarëvajtjen e procesit të votimit.
Në Komisariatin e Policisë Himarë, drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe shefi i Sektorit të Rendit në Departamentin e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, së bashku me zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Vlorë dhe shefin e Komisaratit të Policisë Himarë, zhvilluan instruktazhin me punonjësit e Policisë të angazhuar me detyra në procesin zgjedhor.
Punonjësve të Policisë iu komunikuan detyrat që ka secili prej tyre për ruajtjen e qendrave dhe materialeve të votimit, si dhe masat e ndërmarra me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e procesit gjatë procesit zgjedhor të datës 04 Gusht 2024.
Në një njoftim për mediet, Policia bën të ditur se, i gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe që kryen Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor.
Është miratuar nga KQZ-ja lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor.
Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 52 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 36 qendrat e votimit.
Policia apelon për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.
Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Himarë janë tejet të vendosura dhe të angazhuara për të mbajtur në kontroll të plotë gjithë territorin, me qëllimin e vetëm të sundimit të ligjit”, citon njoftimi i Policisë së Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.